Shpallja e konstituimit të Kuvendit: QUINT-i ende nuk e përshëndet, Basha urohet vetëm nga Kurti
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, dhe një pjesë e partive politike dje e kanë shpallur konstituimin e Kuvendit. Kjo pasi është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Megjithëse kanë kaluar gati 24 orë nga konstituimi i Kuvendit askush nga aleatët e Kosovës nuk e ka përshëndetur mbylljen e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.
Ndonëse vendet e QUINT-it prej muajsh kanë kërkuar nga partitë politike konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, deri me tani as ShBA-së dhe as BE-ja nuk e kanë përshëndetur konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Nacionale ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga ambasada e ShBA-së dhe ajo e Gjermanisë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.
Ambasadorët e vendeve aleate kanë qenë të pranishme në seancën e djeshme, ku Nenad Rashiq pa u propozuar nga Lista Serbe është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
Të vendimin urim që kryeparlamentari Dimal Basa ka marrë pas seancës së djeshme është ai nga Albn Kurti.
Pas përfundimit të seancës së djeshme, kryetari i VV-së, Albin Kurti, e ka vizituar Bashen
“Pas kompletimit të kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, u takova me Kryetarin e Kuvendit, z. Dimal Basha. E urova sërish për detyrën e re dhe i dhurova pikturën “Pranvera Shqiptare” të Rexhep Selimit, si simbol i një fillimi të ri dhe i angazhimit tonë të përbashkët në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”, duke treguar se çka ka biseduar me kreun e Kuvendit.
“Biseduam për rëndësinë e bashkërendimit ndërinstitucional dhe për prioritetet që na presin në këtë fazë të re të funksionimit të institucioneve. Kryetari Basha shprehu gatishmërinë e tij për ta udhëhequr Kuvendin me përkushtim dhe bashkëpunim të ndërsjellë”, ka shkruar ai.
Në seancën e djeshme, deputeti Nenad Rashiq është zgjedhur nënkryetar Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb. Kjo është bërë e mundur vetëm me votat e LDK-së.
Rashiq ka marrë 71 vota për, 9 vota kundër dhe 24 abstenime.
Zgjedhja në këtë post është kundërshtuar nga Lista Serbe, duke pretenduar se u është mohuar një e drejtë kushtetuese. Ndonëse ky subjekt politik dje ka propozuar 9 deputetët e saj për këtë post, ata nuk i morën votat e mjaftueshme për postin e nënkryetarit.
Njohësit e çështjeve kushtetuese në vend kanë bërë me dije zgjedhja e Rashiqit në këtë post nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është publikuar këtë javë thuhet se propozimi për nënkryetar serb duhet të bëhet nga shumica e deputetëve, e që i bie në këtë rast, Lista Serbe.
“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit Serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb”, thuhet në vendim.