“Shpallësit e Pavarësisë”- fotoja e Hashim Thaçit dhe Ismail Qemailit vendoset në hyrje të ndërtesës së Qeverisë
Në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është vendosur një 'pankartë' me flamurin kombëtar, ish-presidentin Thaçi dhe Ismail Qemailin.
Përveç fotografisë së ish-presidentit Thaçi dhe Ismail Qemailit me flamurin kombëtar, në anën tjetër të hyrjes është vendosur edhe një emblemë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga disa qyteatarë në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në banerin e Thaçit dhe Qemailit shkruan: "Shpallësit e Pavarësisë".

Në përvjetorin e 15-të të Kosovës së pavarur, Thaçi u harrua qëllimisht nga ana e krerëve aktualë të Kosovës. Asnjëri nga liderët e Kosovës, pra Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, nuk dënjuan që ta përmendnin emrin e njeriut që e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë.
E gjithë kjo duket të jetë e mirëmenduar. Përgjatë historisë politike, Kurti e Osmani, por edhe Konjufca, ishin kundërshtarë të Thaçit, i cili, përderisa ishte aktiv në politikë, kishte triumfuar disa herë elektoralisht kundrejt tyre. Gjuha e Kurtit e Osmanit ishte jashtëzakonisht e ashpër kundër Thaçit, të cilin vazhdimisht e akuzonin për korrupsion, krim e marrëveshje të këqija në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kurti e Osmani nuk e kanë vizituar Thaçin as në Hagë, ku gjendet nga viti 2020, ndonëse Kurti ka kohë që ka paralajmëruar një vizitë të tillë.