Shoqata sindikale e IML-së shumë e shqetësuar me deklarimet e politikanëve
Shoqata Sindikale e Institutit të Mjekësisë Ligjore është shprehur e shqetësuar me deklarimet e politikës për punën e këtij instituti.
Përmes një reagime për medie, kjo shoqatë ka bërë me dije se këto deklarime janë të papërgjegjshme dhe po ndikojnë në krijimin e një opinioni negativ për IML-në.
“Ne, Shoqata Sindikale e IML-së, të shqetësuar jashtë mase për krijimin e një opinioni negativ në lidhje me Institutin për Mjekësi Ligjore, nga deklaratat e shumta të papërgjegjshme, kryesisht të politikanëve të partive të ndryshme informojmë opinionin publik se në Institutin për Mjekësi Ligjore marrëdhëniet nderkolegiale nuk janë as më të mira e as më të këqija se në Institucionet tjera shtetërore. Prandaj, deklaratat e tilla i dënojmë fuqimisht duke i konsideruar dashakëqija dhe me skenarë ogurzeza në drejtim të prishjes së imazhit profesional dhe hakmarrjes personale ndaj veprimeve ligjore sindikale dhe Shoqatës sonë”, është thënë në reagim.
Sipas sindikatës, këto reagime mund të konsiderohen si shantazhe ndaj këtij institucioni.
“Pa marrë parasysh reagimet e tilla në opinionin publik, të cilat ne i konsiderojmë shantazhe dhe presione të pakuptimta në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive tona zyrtare sindikale, ne do të vazhdojmë të respektojmë vetëm Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin aktual, përmes të cilave jemi të bindur se jemi duke e ruajtur Institutin nga shkelësit e ligjeve tona në fuqi. Shoqata Sindikale e IML-së, konform statutit të saj, nuk do të bie pre e shantazheve dhe presioneve të tilla përmes opinionit publik dhe se deklaratat dhe informatat tona do të vazhdojnë përmes rrugëve ligjore në drejtim të mbrojtjes së integritetit profesional dhe njerëzor, të secilit anëtar sindikal, duke ftuar publikisht për bashkëpunim organet e drejtësisë në luftimin e çdo shkelje ligjore në Institutin për Mjekësi Ligjore”, është theksuar në reagim.
Shoqata ka ftuar organet tona të drejtësisë që të ndërmarrin masat adekuate ligjore ndaj të gjithë individëve të cilët përhapin dezinformata me qëllime të caktuara.