"Shmangni tensionet; Asociacioni": Çka thanë amerikani Murphy dhe Borrelli për Marrëveshjen e Brukselit? - NACIONALE

"Shmangni tensionet; Asociacioni": Çka thanë amerikani Murphy dhe Borrelli për Marrëveshjen e Brukselit?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Deklaratat rreth marrëveshjes së Ohrit, siç njihet jozyrtarisht marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e arritur në mars, kanë vazhduar edhe gjatë ditë së hënë. Më saktësisht, ShBA-ja dhe BE-ja folën sot rreth kësaj marrëveshje, duke insistuar në zbatimin e plotë të saj. Çfarë mesazhe dërguan sot ndërkombëtarët?

Që në mëngjes, senatori amerikan, Chris Murphy, që po qëndron në Kosovë, e takoi presidenten Vjosa Osmani, me të cilën edhe e mbajti një konferencë të përbashkët për medie. Në konferencë, Murphy u përkujdes të dërgoj mesazhet e tij politike, duke theksuar se i vjen mirë të shoh marrvëshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se vizita në Kosovë nuk është rastësi, pasi ajo nënkupton se Kosova e ShBA-ja kanë aleancë të fuqishme.

“Prandaj, neve na vjen edhe mirë të shohim marrëveshjen e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku përfshihet njohja e ndërsjellë e njohjes së dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhet të ndërmerren nga të dyja palët. Serbia duhet të ndalojë së penguari Kosovën, të drejën e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare”, tha Chris Murphy.

Sigurisht, senatori amerikan, që vjen nga partia e presidentit Joe Biden, nuk harroi të përmendte edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Dhe, siç e tha edha presidentja, Kosova ka marrë përkushtimin për t’u lejtuar komunave të bashkohen dhe të formojnë një Asociacion dhe mendoj se zotimet sipas asaj marrëveshje të realizohen sa më shpejtë të jetë e munduur. Patëm mundësitë të shkëmbejmë pikëpamjet e sinqerta për këto.” – deklaroi Murphy në konferencë.

Presidentja Osmani, që ishte nikoqire e senatorit amerikan, vlerësoi se Kosova nuk do t’i ikë obligimeve ligjore që burojnë nga dialogu i Brukselit, duke e rikonfirmuar se Kosova do t’i zbatojë të gjitha detyrimet e saj.

“Sa i përket marrëveshjes në Bruksel dhe Ohrit, Kosova nuk do t’i ik detyrimeve të saj. Kosova do t’i zbatojë të gjitha detyrimet e saja që janë si rezultat i dialogut. Multietniciteti është vlerë e mishëruar në Kushtetutën tonë”, tha tutje Osmani.

Ndërsa sot për Kosovën, më saktësisht për marrëveshjen e Brukselit, foli njeriu që e udhëheq diplomacinë e Bashkimit Evropian. Josep Borrel, shef i diplomacisë së BE-së, theksoi se marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet shpejt dhe në mënyrë të plotë, duke i shmangur tensionet e provokimet e ndërsjella.

“Bashkimi Evropian është për bashkëpunim, është për fqinjësi dhe për të jetuar së bashku. Për këtë zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës është rruga e vetme drejt normalizimit. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të mbarojnë. Atmosfera negative e mungesa e konstruktivitetit duhet të përmbyset. Të jesh anëtar i BE-së nënkupton të jesh në gjendje të bashkëpunosh, të veprosh si fqinj i mirë dhe të tejkalosh gjitha vështirësitë e kaluara.” - theksoi Borrell në një konferencë për medie këtë të hëne.

Në mbrëmje, kryeministri Albin Kurti e postoi një fotografi me dy senatorët amerikan, Chris Murphy dhe Gary Peters, duke shkruar se në këto dy vite është fuqizuar marrëdhenia mes Kosovës dhe ShBA-së.

"Në këto dy vite e kemi fuqizuar partneritetin dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke zgjeruar fushat e bashkëpunimit bilateral, sidomos në mbrojtje dhe energji. Vizitat e shpeshta na i konfirmojnë dhe fuqizojnë lidhjet e thella ndërmejt dy vendeve tona." - shkroi Kurti në Facebook.

Ndryshe, kërkesat për themelimin e Asocacionit tashmë janë shtuar, me ShBA-në që vazhdimisht po e ripsërit nevojën për të ecur përpara drejt themelimit të këtij mekanizmi. Kujtojmë që një draft-statut për Asociaconit është prezantuar para disa ditësh në Bruksel, e të cilin e kishte refuzuar kryeministri Albin Kurtit, duke e quajtur si jokushtetues.

Lajme të ngjashme