Shkrimtari serb: Populli rizgjodhi mafian edhe për një mandat
Dejan Tiago Stankoviq, shkrimtar dhe përkthyes letrar nga Beogradi, shkruan në Indeksin kroat për zgjedhjet në Serbi, në të cilat Aleksandar Vuçiq fitoi sërish pa shumë mund.
Stankoviq shpreh indinjatën e tij me rezultatin zgjedhor dhe thotë se populli serb rizgjodhi mafian, ku edhe për katë vjet të tjera, populli serb do të vazhdojë të vidhet, gënjehet, e mashtrohet.
“Ditë më parë, në Serbi kishte zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, e po ashtu edhe për Beogradin. Unë dhe të tjerët që njoh shpresuam që i erdhi fundi autokracisë që po e kalëron popullin qe 12 vjet, autokracisë e cila po e vjedh, gënjen dhe mashtron paturpësisht, si qytetarët ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar, ngase ata nuk janë duke e çuar vendin drejt BE-së, siç premtuan, por po kërkojnë të qëndrojnë në pushtet sa më gjatë që të gllabërojnë siç kanë bërë deri tani, si krim i organizuar, ku lojtarët politikë kanë ndarë ekonominë e vendit në sektorë, reketojnë dhe marrin përqindje me marrëveshje, dhe të gjithë së bashku ndërtojnë komplekse rrokaqiejsh, ku qëllimi i vetëm është pastrimi i parave të pista”, shkruan Stankoviq.
Stankoviq thotë se për herë të fundit kur kishte shpresuar se në Serbi do të bëhej mirë, ishte kur i ndjeri, Zoran Gjingjiq, pati fituar zgjedhjet.
“Zgjedhjet u kryen, jemi të zhgënjyer, populli, si shumë herë më parë, i joshur nga propaganda e pabesueshme dhe me tru të shpëlarë nga mediat monopole të regjimit, ka rizgjedhur mafian dhe jo partinë për të udhëhequr vendin. Me sa mbaj mend, gjithmonë ka qenë kështu, veç një herë jam gëzuar për fitoren e atyre që i kam dashur, duke shpresuar se do të bëhej më mirë. Kjo ishte kur fitoi Zoran Gjingjiqi. Të gjithë e dimë se si përfundoi ky eksperiment social i evropianizimit”, shton ai.
Stankoviq shprehet skeptik se do të ketë ndonjëherë ndryshime pozitive në Serbi, por se në rast se ndodhë kjo, atëherë ai thotë se do të nevojiten vite të tëra për rimëkëmbje.
“Sipas rezultateve të këtyre zgjedhjeve, qytetarët e Serbisë do të kenë të paktën edhe katër vjet kleptokraci, shkatërrim të institucioneve dhe paligjshmëri. Edhe nëse në zgjedhjet e ardhshme ka ndonjë ndryshim për mirë, që nuk është as e sigurt dhe as shumë e mundshme, vitet e rimëkëmbjes dhe rinovimit nuk do të jenë të lehta. A kanë njerëzit nerva dhe kohë për këtë? Katër nga katër vjet, po kalon jeta në errësirë dhe pafuqi, në pritje të agimit”, përfundon Stankiviq.