Shkon në mbi 11.200 numri i përgjithshëm i viktimave të tërmeteve në Turqi e Siri
(E plotësuar): Ka shkuar në mbi 11 mijë e 200 numri i konfirmuar i viktimave të tërmeteve në Turqi e Siri. Agjencia e lajmeve, AFP, ka raportuar se numri i konfirmuar i të vdekurve nga tërmetet në Siri tashmë është 2 mijë e 470. Numri i të vdekurve është rritur edhe në Turqi.
Në Turqi, numri zyrtar i viktimave tash për tash është 8 mijë e 754. Kështu, numri i përgjithshëm i të vdekurve, pas plotësimit të të dhënave në Siri, ka shkuar në mbi 11 mijë e 200, raporton gazeta "The Guardian".
Organizata “Helmetat e Bardha” në Siri ka thënë se numri i të vdekurve pritet të rritet në masë të konsiderueshme.
Agjencia turke për menaxhimin e fatkeqësive ka thënë se ka 11 mijë e 342 raportime për ndërtesa të shembura, nga të cilat 5 mijë e 775 janë konfirmuar.
Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës tha se, gjatë natës, 3 mijë e 400 persona janë strehuar në trenat që po përdoren si strehë urgjente.
Autoritetet turke kanë dërguar mbi 24 mijë punëtorë të kërkim-shpëtimit në zonën e goditur nga tërmetet. Zyrtari i agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive, Orhan Tatar, tha se ky numër pritet të rritet.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, tha të martën se tre shtetas britanikë janë zhdukur pas tërmeteve. “Ne vlerësojmë se mundësia e pasojave të shkallës së lartë në njerëzve britanikë mbetet e ulët”- deklaroi ai.
Raportohet se edhe katër australianë janë zhdukur pas tërmeteve. Departamenti i Punëve të Jashmte i Australisë është duke u ofruar asistencë këshilluese familjeve të të zhdukurve dhe rreth 40 australianëve të tjerë e familjeve të tyre, të cilët ndodheshin në zonën e tërmetit.
Në Turqi, zemërimi është duke u shtuar për atë që po përshkruhet si reagim i ngadalshëm e jo i duhur nga autoritetet.
Punëtorët e kërkim-shpëtimit punuan gjatë natës, duke kërkuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura, përderisa moti i ftohtë, rrugët e shkatërruara dhe infrastruktura e dobët i penguan operacionet në Turqi e Siri.
“Nuk është asnjë person i vetëm këtu. Jemi nën borë, pa shtëpi, pa asgjë. Çfarë do të bëj, ku mund të shkoj”- i tha agjencisë “Reuters” Murat Alinak-u, të afërmit e të cilit janë zhdukur.
Shumë shtete kanë premtuar ndihma për dy vendet e goditura. Kina ka dërguar në Turqi një ekip shpëtimi prej 82 anëtarësh si dhe 20 tonë pajisje mjekësore e pajisje të tjera për shpëtim, sipas televizionit CCTV.