Shkon në 64 numri i të vdekurve nga përmbytja e anijes me emigrantë në Itali - NACIONALE

Shkon në 64 numri i të vdekurve nga përmbytja e anijes me emigrantë në Itali

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekipet e shpëtimit e nxorën të martën trupin e një burri nga deti, duke e çuar në të paktën 64 numrin e të vdekurve nga përmbytja e një anijeje me emigrantë afër bregdetit jugor të Italisë, përfshirë rreth 14 fëmijë.

“Ne do ta kryejmë kërkimin në sipërfaqen e detit derisa të sigurohemi se e kemi gjetur secilin”- tha Rocco Mortato, anëtar i një ekipi të zhytësve në brigadën e zjarrfikësve, raporton agjencia “Reuters”.

Tetëdhjetë persona janë shpëtuar që nga përmbytja e anijes të dielën herët në det me ujë të trazuar afër Steccato di Cutro-s, në bregdetin lindor të Kalabrisë. Barka ishte nisur nga Izmiri i Turqisë.

Ekipet e shpëtimit thanë se shumica e emigrantëve ishin nga Afganistani, por kishte edhe nga vende të tjera, përfshirë Iranin, Somalinë dhe Sirinë.

Ministria e Jashtme e Pakistanit ka thënë se 20 shtetas të këtij vendi ishin në barkën e përmbytur dhe se 16 prej tyre kanë mbijetuar, ndërsa katër janë zhdukur.

Kjo tragjedi ka nxitur debat për emigrantët në Evropë, përfshirë Italinë, ku ligjet e reja e të ashpra të qeverisë së zgjedhur rishtazi për organizatat bamirëse për shpëtim kanë nxitur kritika nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të tjera.

Lajme të ngjashme