‘Shifrat do të dalin’: Nga gjyshet po shkojnë te nipat, te 68% më shumë kërkesa për azil në 4 muaj
Në një deklaratë të para disa muajve, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi thoshte se “panika e përhapur për ikjen e qytetarëve ka dështuar”. Mes tjerash, ai paralajmëronte se shifrat për migrim do të dalin. Shifrat e kërkesave për azil dolën, në fakt, së fundi në Raportin e Progresit. Sipas Eurostat, që nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2024 janë bërë një mijë e 960 kërkesa për azil në vendet e Bashkimit Evropian, rritje prej 68 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Siç theksohet në raport, derisa në vitin 2023 pati një rënie të lehtë, prej vetëm katër për qind, krahasuar me vitin 2022 në kërkesën për azil, kjo shifër do të rritej në vitin 2024.
“Sipas Eurostat, 3 mijë e 45 qytetarë nga Kosova kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së gjatë vitit 2023(rënie e lehtë prej 4% krahasuar me 3 mijë e 185 në vitin 2022). Që nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës një janari 2024, 1 mijë e 960 kërkesa për azil janë paraqitur te shtetet e BE-së në katër muajt e parë të vitit 2024 (plus 68% krahasuar me të nëjtjën periudhë të vitit 2023)” – thuhet fillimisht në raport.
Për krejt këtë, siç lihet të kuptohet, janë në dijeni edhe autoritet e Kosovës të cilat sipas raportit të Komisionit Evropian, “kanë treguar përgjegjshmëri në monitorimin dhe adresimin e këtij trendi”.
“Autoritetet e Kosovës kanë treguar përgjegjshmëri në monitorimin dhe adresimin e këtij trendi. Kjo përpjekje duhet të vazhdojë duke ruajtur fushatën e komunikimit mbi të drejtat dhe detyrimet, kontrollet e përmirësuara në nisje dhe duke u angazhuar me shtetet anëtare më të prekura të BE-së.” – thuhet në raport, transmeton Nacionale.
Numri i lartë i vizave të punës
Për shifra të larta të ikjes së qytetarëve, para pak ditësh ka folur edhe ambasadori i Gjemranisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai tha se numrat e vizave vazhdojnë të qëndrojnë po aq të lartë sa viteve paraprake:
“Dhe, do të doja të thoja, nëse BE-ja nuk zgjerohet te Ballkani Perëndimor, qytetarët e Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të shpërngulen në BE…Dhe nëse shikoj numrat e vizave tona, janë po aq të lartë sa viteve të kaluara. Kjo nuk është e mirë, për rajonin. Kjo shkon për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
Nacionale ndërkaq, kishte raportuar se nga statistikat në faqen zyrtare të Zyrës së Jashtme Federale, del se në vitin 2021 Gjermania ka lëshuar 16 mijë e 826 viza Schengen në Kosovë, kryesisht për turizëm, biznes apo qëllime të tjera.
Në vitin 2022, ky numër është rritur në 48 mijë e 937. Gjatë 2023-tës ndërkaq, janë lëshuar 56 mijë e 194 viza Schengen.
Përgjatë këtyre tre vjetëve, vërehej rritje e madhe edhe te vizat e punës dhe ato të bashkimit familjar.
Në vitin 2021, Gjermania ka lëshuar 4 mijë e 442 viza pune për qytetarët kosovarë dhe mbi shtatë mijë për bashkim familjar.
Vizat e punës janë dyshifruar në 2022, me 9 mijë e 309 sosh të lëshuara.
Shifrat e larta qëndruan edhe gjatë 2023-tës. 8 mijë e 932 kosovarë kanë marrë vizë pune në Gjermani gjatë atij viti.
Më shumë detaje: Mbi 20 mijë: Qysh u rrit gjatë tre vjetëve numri i vizave të punës në Gjermani për kosovarët?
Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 e kanë fituar të drejtën për të udhëtuar në vendet e zonës Schengen, megjithatë, jo edhe për të punuar atje.
Në vazhdimësi, janë ngritur shqetësime se një gjë e tillë mund të ndikojë edhe më shumë në ikjen e qytetarëve. Megjithatë, kjo situatë nuk i ishte dukur shumë serioze zëvendëskryeministrit Bislimi, i cili kishte deklaruar se “gjyshet po shkojnë te nipat”.
“Shifrat për migrimin do të dalin, krejt ajo panika që është përhapë ka dështu, nuk kanë dalë as rinia as të vjetër. Kanë dalë gjyshet, kanë shku me i këqyrë nipat, u knaqën. Nuk kanë qenë pjesë e fuqisë punëtore, as s’e kanë dëmtu tregun e punës, e kanë rritë mirëqënien edhe të gjyshërve, dhe familjeve që i kanë prit atje, dhe që s’ka mujtë me ndodhë përpara, duhet me iu gëzu kësaj.” – kishte thënë ai, transmeton Nacionale.