Sherifi: Kurti, qeveritar i ri që vepron brenda praktikave të “regjimit të vjetër” - NACIONALE

Sherifi: Kurti, qeveritar i ri që vepron brenda praktikave të “regjimit të vjetër”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti po qeverisë brenda paradigmave që dikur i kishte kritikuar fuqishëm.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kurti kishte premtuar se me ardhjen e tij në pushtet do t’i ndryshonte praktikat e punës në të gjitha fushat e qeverisjes.

Sipas tij, gjatë vitit të parë të qeverisjes, Kurti ka vepruar brenda paradigmës së “regjimit të vjetër”, të cilën aq fortë e kishte kritikuar.

Me tej, Sherifi ka përmendur edhe punësimet e aktivistëve të LV-së nëpër institucione publike.

Ai ka thënë se edhe në këtë fushë Qeveria Kurti ka kopjuar qeveritë e vjetra.

Madje, sipas tij, punësimet e LV-së në KEK tejkalojnë përmasat e aferës “Pronto”.

Nacionale: Z. Sherifi, cili është vlerësimi i juaj për Qeverinë Kurti?
Sherifi: Qeveria Kurti erdhi në pushtet me mbi 50% të votave të qytetarëve që votuan më 14 shkurt 2021. Mbështetja e madhe qytetare i mundësoi Albin Kurtit dhe partneres së saj Vjosa Osmani të kenë një qeverisje të pakushtëzuar nga partnerë të shumtë, siç karakterizoheshin qeveritë paraprake. Për këtë arsye kjo qeveri është dashur të jetë shumë më efikase në zbatimin e premtimeve paraelektorale. Fatkeqësisht realiteti dëshmon të kundërtën: mënyra e tyre e deritanishme e qeverisjes nuk ka mundësuar të plotësohen as pritjet e atyre që e kanë votuar, e lëre më nevojat e të atyre që nuk e kanë votuar.

Nacionale: Vlerësimi i zyrtarëve të lartë të LV-së është se kjo është prej qeverive më të suksesshme të Kosovës?
Sherifi: Po të ishte vetëlavdërimi mjet i besueshëm nëpërmjet të cilës do të vlerësohej puna e një qeverie, ju siguroj që Vetëvendosjes nuk do t’i vinte radha as t’i fitojë zgjedhjet dhe as të formojë qeverinë!

Nacionale: Çka e dallon këtë qeveri nga ato para saj?
Sherifi: Nuk mund të bëjmë krahasimin e punës së kësaj qeverie me punën e qeverive të mëparshme pa krahasuar paraprakisht zotimet që të dy palët u bënin qytetarëve gjatë fushatave zgjedhore. Meqenëse një krahasim i plotë i këtyre aspekteve nuk mund të përfshihet në intervistë për media, unë po përmend vetëm disa çështje që më duken më të rëndësishme:
Së pari, po veçoj faktin se përkundër dallimeve ideologjike që kanë pasur partnerët e koalicioneve të mëparshme qeveritare, ato kanë vepruar brenda të njëjtës paradigmë si në politikën e jashtme, ashtu edhe në politikat ekonomike, në politikat e arsimit, në politikat e shëndetësisë, në politikat e sundimit të ligjit, në qasjen ndaj mediave etj. Pra, mund të themi që partitë e “Regjimit të Vjetër”, siç i quan Vetëvendosje, kanë qeverisur brenda premtimeve të dhëna gjatë fushatës. Këtu nuk flas për çështjen e efikasitetit të politikave që janë zbatuar, por për koherencën e veprimit të tyre brenda një paradigme të caktuar.

Ju kujtohet se gjatë tërë kohës kur LV-ja ishte në opozitë, propagandën e vet e kishte të orientuar në akuzat kundër paradigmës mbi të cilën qeverisnin kundërshtarët e saj, duke e cilësuar si paradigmë të gabuar! Po marrë shembullin e bisedimeve me Serbinë, të cilën e kundërshtonte me argumentin se “dialogu me Serbinë është qasje e gabuar që rrjedh nga veprimi mbi paradigmën e gabuar që të bisedohet me shtetin që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, që nuk pranon krimet e kryera, që nuk jep sqarime për të zhdukurit e kështu me radhe dhe rrjedhimisht kush shkon në bisedime me këtë paradigmë do të jetë i detyruar të bëjë lëshime. Në përputhje të plotë me këtë orientim politik, gjatë fushatave elektorale LV-ja premtonte se do të ndryshojë paradigmën e qeverisjeve të mëparshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, në politikat ekonomike, në politikat e arsimit, në politikat e shëndetësisë, në politikat e sundimit të ligjit, në qasjen ndaj mediave etj. I ftoj lexuesit që të reflektojnë rreth mënyrës si veproi z. Kurti kur erdhi në pushtet. Ai hyri në dialog me Serbinë, pa njohje paraprake të pavarësisë së Kosovës; ai u takua me Aleksandar Vuçiqin, Joseph Goebbels e Ballkanit, edhe pse ky vazhdon të mohojë krimet e kryera në Kosovë dhe nuk jep asnjë sqarim për të zhdukurit gjatë luftës. Me një fjalë, nga orientimi politik që kishin për të ndërruar “paradigmën e gabuar” dhe të vendosnin paradigmën “Së pari njohje, pastaj Dialogu”, Albin Kurti përqafoi paradigmën “Dialog për Njohje”, ndaj të cilës nuk kishte lënë gjë pa thënë. Prandaj, lirisht mund të themi se jo vetëm në politikën e jashtme, por për të gjitha sferat e qeverisjes Albin Kurti është një qeveritar i ri që vepron brenda paradigmës së “regjimit të vjetër”.

Madje, në disa raste kemi një funksionim kaq paradoksal saqë askush nuk do të kishte mundur të parashikonte një kthesë të tillë të Albin Kurtit. Po marr vetëm shembullin e rezolutës për t’i vendosur masa reciprociteti Serbisë që miratoi Kuvendi i Kosovës në vitin 2011. Besoj që lexuesve u kujtohet se kjo rezolutë u propozua nga LV-ja, që, në atë kohë, ishte në opozitë. Kur erdhën në pushtet e harruan reciprocitetin që vetë kishin propozuar dhe Serbisë ia hapën tregun gjerë e gjatë.

Nacionale: Si përgjigje ndaj krizës se rritjes se çmimeve, qeveria ka ndërmarrë disa masa. Së fundi ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për disa kategori. ka mundur të bëj më tepër në këtë krizë?
Sherifi: Nëse kemi për bazë analizat që i kanë bërë kësaj mase njohësit e çështjeve ekonomike, atëherë nga qëndrimet e tyre del qartë se ndarja nga 100 euro për disa kategori shoqërore, nuk mund të quhet masë për të përmirësuar gjendjen e atyre që kanë nevojë për mbështetje nga qeveria. Jam i sigurt se edhe ata që e kanë marrë këtë vendim e dinë fare mirë se me këtë masë nuk u bëhet asnjë zgjidhje kategorive shoqërore që janë në gjende të rëndë ekonomike, pos krijimit të iluzionit duke ua shty për një muaj ballafaqimin me vështirësi të mëdha ekonomike.

E dimë se ngritja e çmimeve nuk është dukuri vetëm në vendin tonë. Mirëpo tejkalimi i kësaj gjendjeje kërkon një qeverisje të përgjegjshme që komunikon me partnerët shoqëror, që në bashkëpunim me punëdhënësit, me punëtorët, me sindikatat të hartojnë politika adekuate për t’u përballë më me sukses me situatën e krijuar pas rritjes së çmimeve! Këtë gatishmëri për bashkëpunim nuk po e shoh te Qeveria Kurti. Përkundrazi, shoh vetëm përplasje të përgjithshme me komunitetin e biznesit, me sindikatat! Pra, kjo qeveri është kapur në kurthin e vetëlavdërimit dhe në vend se kritikat t’i merr si vërejtje për të reflektuar rreth punës së vet, ajo i trajton me armiqësi.

Nacionale: Kur ishte në opozitë LV-ja ka akuzuar shumë partinë tuaj dhe partitë tjera për nepotizem dhe punësim të aktivistëve, ndërsa tani po e bën të njëjtën gjë. Çfarë do të thotë kjo për këtë qeveria?
Sherifi: Po, Vetëvendosje ka arritur të bindë një numër të madh të votuesve, se kur ajo të vij në pushtet do t’i japë fund punësimeve mbi baza nepotiste, klinenteliste dhe partiake. Ajo premtoi se do të eliminojë këto praktika dhe do të zbatojë politikën e “shanseve të barabarta për të gjithë”. Kur sheh emrat e familjarëve të punësuar, kupton që: premtimi “shanse të barabarta për të gjithë” nuk vlen as për anëtarët e Vetëvendosjes se lëre më për qytetarët tjerë!

Pra, edhe në punësime kanë qëndruar brenda “paradigmës” së vjetër: së pari anëtarët e familjes, pastaj anëtarët e partisë dhe në fund, nëse mbetet ndonjë vend i lirë për qytetarët pa parti! Madje, e kanë tejkaluar edhe standardin e partive që kanë qeverisur më parë. Kjo nuk është vetëm një akuzë opozitare, këtë e vërteton mjaftueshëm skandali i fundit i punësimeve në KEK, për të cilin në disa debate televizive që janë mbajtur për këtë temë, me të drejtë, nga disa gazetarë, u tha që ky skandal tejkalon edhe përmasat e Aferës "Pronto"!

Nacionale: E kemi parë kryeministrin Kurti duke i mbrojtur ministrat e tij që shkelin Kushtetutën dhe kur bëjnë gabime në komunikacion. Çka flet kjo për kryeministrin?
Sherifi: Të gjithëve na kujtohet kur Kryeministri Kurti në cilësinë e opozitarit deklaronte që kush e shkel Kushtetutën është super kriminel! Ai vet e ka vendosur këtë standard sa i përket kësaj çështje prandaj duhet të veprojë në përputhje me këtë dhe t’i shkarkoj “super kriminelët” që e kanë shkelur kushtetutën. Nëse nuk e bën një të tillë, ka gjasa që deri në fund të mandatit shumë ministra të tij të jenë pajisur me epitetin e Kurtit që kush e shkel kushtetutën është “super kriminel”.

Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për raportet e Qeverisë me partneret ndërkombëtar?
Sherifi: Nga ajo që shihet nga jashtë, pa pasur informata të brendshme, marrëdhëniet nuk janë në nivelin e duhur. Uroj që kjo të ndryshojë në të ardhmen, sepse, për shtetin tonë marrëdhëniet e mira me partnerët strategjikë të Kosovës janë jetike. Duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për vendin tonë, asnjë qeveri nuk guxon t’i rrezikojë ato. Rrezikimi i marrëdhënieve me partnerët strategjik do të sillte rreziqe të mëdha për ekzistencën e shtetit tonë. Qeveritarët duhet ta kuptojnë që ka gjëra me të cilat mund të eksperimentohet, por në asnjë rast nuk guxojnë të experimentojnë nëse Kosova mundet pa marrëdhënie të mira me SHBA dhe partnerët tjerë strategjikë. Asnjë qeveri nuk guxon të harrojë që partneriteti strategjik me SHBA-në dhe BE-në përbën njërën nga shtyllat e rëndësishme mbi të cilën është ngritur dhe qëndron shteti i Kosovës. Dhe, rrënimi i kësaj shtylle, pashmangshmëm do të sillte rrënimin e shtetit të Kosovës!

Nacionale: Lufta në Ukrainë si duket ka ndikuar edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Mund të presin që Qeveria Kurti të bëj ndonjë marrëveshje përfundimtare me Serbinë?
Sherifi: Nuk mund të paragjykoj nëse mund të ketë marrëveshje përfundimtare apo jo. Mirëpo, dialogu politik me Serbinë për njohje reciproke duhet të vazhdojë dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur të përfundojë me njohje të shtetit të Kosovës nga shteti i Serbisë! Vetëm kur kjo të arrihet mund të themi që, më në fund, edhe në këtë pjesë të Ballkanit është vendosur paqja!

Lajme të ngjashme