Shembulli tjetër: Çka kishte bërë ministër Sveçla kur ishte përballur me rast të ngjashëm si Peci?
Ministri Faton Peci është parë sot në një video që qarkullonte në rrjete sociale derisa rrinte indiferent ani pse fare pranë tij një vajzë e vogël që po kërkonte lëmoshë u largua dhunshëm nga lokali. Por, hiç më larg se një koleg i tij nga Qeveria Kurti kishte treguar rast krejtësisht tjetër para tri vitesh.
Në rrugën “te Kafet e Vogla” në kryeqytet një qytetar do të sulmonte një shitës ambulant. Në afërsi kishte qëlluar edhe ministri aktual i Punëve të Brendshme, atëbotë zv. Ministër, Xhelal Sveçla.
Me të parë sulmin, ai kishte reaguar menjëherë duke provuar që ta ndalte qytetarin por e kishte pësuar edhe vetë sipas dëshmitarëve.
“Sveçla ndërhyri pasi pa një person teksa rrah një shitës ambulant në kafiteri. Përballë kësaj ngjarje nuk ka mundur të qëndroj indiferent z.Sfeçla, andaj reagimi i tij ishte i domosdoshëm”, thoshte një gazetar i njohur me ngjarjen.
Më pas, Sveçla kishte telefonuar edhe Policinë e Kosovës për t’u marrë me rastin. Derisa po ndodhte ai rast, ish zv. ministri po shoqërohej me Albin Krasniqin, bashkëshortin e tashmë ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut.
Për fat të keq, ministri Peci përveç që ka pasur reagim krejtësisht tjetër, ai nuk ka denjuar as të kërkonte falje përkundër pamjeve të publikuara. Ai edhe këtë rast e ka lidhur me kundërshtarët e tij politikë.