Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë: Çështja e vizave ende nuk është finalizuar procedurialisht
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ende nuk është përfunduar i gjithë procesi formal i liberalizimit të vizave për Kosovën që kosovarët të mund të lëvizin pa viza në fillim të vitit 2024.
Szunyog ka treguar hapat që duhet të ndërmerren deri në finalizim të liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Nëse e shikoni tekstin e draftit, aty shkruan se kur të operacionalizohet sistemi ETIAS, pra jo më vonë se 1 janar 2024. Pra 1 janari është më i fundit, mund të ndodh po ashtu edhe disa javë më herët, pra prapë nuk është e finalizuar për sa i përket procedurës formale sepse si çdo ligj tjetër duhet të finalizohet dhe të shpallet në gazetën zyrtare, të nënshkruhet dhe të tjera”, tha për Klan Kosova shefi i BE-së në Kosovë .
Ai thotë se duhen edhe disa hapa procedural, por sipas tij, ajo që na duhet është marrëveshja politike në Këshill, si është organ vendimmarrës dhe në Parlamentin Evropian”.
“Pra kur ta kemi një marrëveshje ndërmjet dy organeve, prapë duhet të shkojë në Parlamentin Evropian për t’u votuar në Komision, pastaj në sesion plenar, duhet të shkojë përsëri edhe në Këshill, e kështu me radhë. Por, unë mendoj se nga perspektiva ime, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën tashmë është dakorduar”, tha Szunyog.
