ShBA-ja thotë se forcat ruse kanë arritur në vendin e rrëzimit të dronit
Rusët kanë arritur në vendin ku u rrëzua një dron amerikan në Detin e Zi, sipas dy zyrtarëve rusë.
Forcat detare ruse kanë disa anije në Detin e Zi, përfshirë anijet me bazë në portet e Krimesë, që do ta vendosnin Rusinë në pozitë me përparësi në përpjekjet për t’i kapur mbetjet e dronit, raporton televizioni CNN.
Droni u rrëzua në ujëra ndërkombëtare, përafërsisht 70 milje në jugperëndim të Krimesë, tha njëri nga zyrtarët amerikanë. Nuk është e qartë nëse Rusia ka arritur që ta kapë ndonjërën nga mbetjet e dronit, kur rusët arritën në vendin e rrëzimit.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, nuk konfirmoi se rusët ndodhen në vendin e rrëzimit të dronit. Megjithatë, ai përsëri tha se ShBA-ja ka ndërmarrë hapa për ta bërë të pamundshme që Rusia të nxjerrë ndonjë informatë të dobishme nga mbetjet e dronit.
“Çfarëdo që ka mbetur nga ai (droni) e që është duke qëndruar mbi ujë, ndoshta do të jenë sipërfaqet për kontrollimin e fluturimit, ky lloj gjëje. Ndoshta asgjë me vlerë të brendshme të vërtetë për ta në aspektin e ri-inxhinierimit ose ndonjë gjë si kjo. Nuk jemi shumë të shqetësuar për çfarëdo në të cilën ata (rusët) mund t’i vënë duart”- tha Kirby.
Të mërkurën, sekretari i Këshillit të Sigurisë në Rusi, Nikolai Patrushev, tha se Rusia do të mundohet që t’i gjejë mbetjet e dronit për ta analizuar atë.