ShBA-ja ndan 85 milionë dollarë ndihma për Turqinë e Sirinë - NACIONALE

ShBA-ja ndan 85 milionë dollarë ndihma për Turqinë e Sirinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Shteteve të Bashkuara (USAID) tha të enjten se do të ndajë 85 milionë dollarë për asistencë urgjente humanitare për Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve vdekjeprurëse të kësaj jave.

“USAID-i do të ofrojë ushqim dhe strehim emergjent për refugjatët dhe për personat e zhvendosur rishtazi, furnizime për dimër për t’i ndihmuar familjet që t’i bëjnë ballë acarit, shërbime kritike shëndetësore për të ofruar përkrahje kundër traumës, ujë të sigurt të pijes për t’i parandaluar sëmundjet dhe ndihma higjienike e sanitare për t’i mbajtur njerëzit të sigurt e të shëndoshë”- thuhet në një deklaratë të kësaj agjencie.

Aty përmenden përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dalë në ndihmë Turqisë e Sirisë pas tërmeteve, duke shtuar se 200 persona, përfshirë ekspertë të fatkeqësive si dhe 159 anëtarë të ekipeve të kërkim-shpëtimit me 12 qen kanë arritur në Turqi.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për ta ndihmuar reagimin e Qeverisë së Turqisë dhe ofrimin e asistencës jetëshpëtuese për popullin sirian gjatë përgjigjes ndaj kësaj fatkeqësie shkatërruese”- thuhet më tej në deklaratë.

Numri i viktimave të tërmetit në Turqi ka shkuar në 18 mijë e 342, duke u rritur për 668 gjatë natës. Sipas të dhënave të fundit, numri i viktimave në Siri është 3 mijë e 337. Kështu, numri i përgjithshëm i konfirmuar i të vdekurve në të dyja vendet është 21 mijë e 719, raporton gazeta “The Guardian”.

Lajme të ngjashme