“Jo më befasi me formacione paraushtarake”: Si e nënkuptoi O’Brien sërish përfshirjen e shtetit serb në Banjskë
Tashmë për të tretën herë brenda rreshtash konfirmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfshirja e shtetit serb në sulmin paraushtarak dhe terrorist në Bansjkë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar.
Më e fundit ishte nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, i cili duke folur për “Tanjug” e la të nënkuptueshme që Serbia “nuk duhet të na befasojë me formacione qoftë ushtarake ose paraushtarake” në detriment të stabilitetit të rajonit.
Është hera e parë që referenca “befasi...me paraushtarakë” jepet si i tillë teksa referenti i mesazhit është Serbia si shtet; me një zyrtar aq të lartë si O’Brien që singullarizon shtetin serb në mesazhin kundër paraushtarakëve.
“Ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin me Serbinë, kjo rruga më vete e Serbisë për të ndërtuar forcën e saj të armatosur dhe angazhimet. Por, çka ne besojmë është se bashkëpunimi në çështje të sigurisë mund t’i shtojë stabilitetit të rajonit duke rritur transparencën dhe duke na siguruar që të mos ketë befasira – që të dyja, qofshin ato me formacione paraushtarake, qofshin ushtarake”, tha Jim O’Brien.
Top zyrtar amerikan Jim O’Brien edhe në një përgjigje për Zërin e Amerikës (13 shkurt, 2024) kishte bërë me dije që asokohe shefi i Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë (BIA) Aleksandar Vulin “kishte qenë i përfshirë (në sulmin në Banjskë)”.
Përfshirja e BIA-s – që është agjenci qeveritare, që zgjedhjet nga qeveria serbe, dhe nën ombrellën e të cilës operon – qe konfirmuar në atë fjali të Jim O’Brien, kur ky i fundit bënte të ditur se qeveria serbe e kishte shkarkuar atë.
“Dua të theksoj se Serbia zëvendësoi shefin e shërbimit të zbulimit, i cili ishte i përfshirë në të (në sulmin e Banjskës)”, pati thënë O’Brien, në kohën kur Vulin ishte larguar, për t’u kthyer sërish në qeverinë e re serbe, sot si Zëvendës Kryeministër.

Ish-Zëvendës Ndihmës Sektetari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë muaj më parë s’e kishte mohuar përfshirjen e shtetit serb, madje duke pohuar “disa lidhje financiare dhe organizative (të sulmuesve me shtetin serb)” por se për këtë gjë pritet hetim i plotë.
Por ama, shprehej ai, “hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës”.
REL: “A sheh SHBA-ja ndonjë lidhje mes këtij sulmi me Serbinë si shtet?”
Gabriel Escobar: “Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës.
Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”.

Pesidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu muaj më parë në një intervistë në RTV21, e pati dhënë për fakt të kryer se disa shtete aleate veçse “kanë përfunduar hetimet” për Banjskën dhe pati lënë të kuptohet që “shumë shpejtë” edhe do t’i publikojnë.
“Neve na është thanë nga aleatët të presim edhe pak, sepse secili prej tyre i kanë procedurat e tyre të brendshme se kur i bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzioneve. Asnjëherë nuk e përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të dalin me konkluzione të tilla, por mos harroni ne jemi Kosova dhe ne i bëjmë vlerësimet tona".
"Ndërsa këta shtete i vlerësojnë ndryshe edhe kohën kur, ose interesat që kanë rajonale, apo raportet edhe me Kosovën dhe Serbinë. I kanë ata vlerësimet e tyre se kur është momenti i duhur", pati thënë ndër të tjera Osmani.
Kryefjala e saj konstatuese ishte se: urdhëri është dhënë nga Aleksandar Vuçiq.
