Serbia: S’ka zbatim të Marrëveshjes së Ohrit pa u themeluar Asociacioni
“Parakusht për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është zbatimi i Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke folur në televizionin “Pink”. Takimin e Nivelit të Lartë më 2 maj, Daçiq e quajti “takim të rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes dhe Shtocjës së Zbatimit”.
Daçiq, duke thënë të njëjtën gjë si në Këshill të Sigurimit, tha se pa themelimin e Asociacionit nuk do të ketë nisje të zbatimit nga pala serbe, e cila edhe e shkeli marrëveshjen kur iu kundërvë aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, saktësisht Nenin 4 të Marrëveshjes Bazë.
Në dritën e takimit të ardhshëm ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ministri serb i jashtëm beson se pala kosovare “do të provojnë ta zbehin atë për nga autoriteti dhe pushtetet”.
“Është kohë përgatitjesh të mëdha”, tha ai për takimin e 2 majit, ndërsa për agjendën e takimit tha se do të përmbajë edhe miratimin formal të Deklaratës për Personat e Pagjetur krahas paraqitjes së një draft-Statuti fillestar për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues, ekip ky i cili nuk i është i përgjigjur ende (së paku kështu është thënë) askujt në qeverinë kosovare.
Çka ndodh më 2 maj?
Takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit mbahet më 2 maj dhe në krye të agjendës do ta ketë fillimin e procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Këtë e konfirmoi vetë Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, ku tha se është pikërisht draft-Statuti i Asociacionit ajo çfarë do të kenë në tryezë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak. Se themelimi i Asociacionit është “nevojë urgjente” tha edhe Këshilltari i Lartë në DASh, Derek Cholllet.
“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit [të Komunave të banuara me shumcië serbe] do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Miroslav Lajçak këtë të enjte.
Lajçak vazhdoi të elaborojë edhe më tej për çka dhe pse po bëhet ky Asociacion: “për të qartësuar marrëdhënien mes qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës”, tha ai. Kjo, sipas tij, për arsye të “përcaktimit të statusit ligjor të serbëve të Kosovës dhe pakicës serbe në Kosovë”. Dhe, këtij Asociacioni, sipas Lajçak, i duhet përcaktuar “se çfarë kompetencash do të ketë”.
“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”.
Deklarohet Chollet
Zyrtari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit këtë të enjte telefonoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin, siç lajmëroi, biseduan rreth “nevojës urgjente për themelimin e Asociaconit të Komunave Serbe”.
“Bisedë përmbajtësore dhe pozitive me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot. U pajtuam rreth fuqizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndëermjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë dhe përqendrimin e përbashkët në progresin rreth Dialogut, e në veçanti për nevojën urgjente për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Presim takim konstruktiv më 2 maj në Bruksel”, shkroi Derek Chollet në Twitter.
Vuçiq kërkon tjetër çka: Asociacion përtej Kushtetutës së Kosovës
Në një konferencë për media duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të populluara me shumicë serbe, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se “nuk kam vendosur ende” nëse do të shkojë në dialog më 2 maj, por vetëm që të dëgjojë Ekipin Menaxhues.
Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe “duhet të formohet vetëm në bazë të parimeve të nënshkruara me [ish-Kryeministrin e Kosovës] Isa Mustafën”, u shpreh decidivisht ai. “Të mos luajnë përralla me Serbinë rreth Kushtetutës së Kosovës”, tha presidenti serb dhe shtoi se krahas Asociacionit do të kërkojë edhe tërheqjen e njësive speciale të Kosovës nga ato zona.
Asociacioni, sipas Kurtit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova. E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion.