Serbia s'e përbin dot votimin e djeshëm në AP të NATO-s: "Synohet përfundimisht anëtarësimi i Kosovës"
Kaherë në tone prej më melodramatikeve Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehej denoncueshëm se Kosovës “veç flamurin në NATO që s’ua kanë ngritur ende” derisa Forca e Sigurisë së Kosovës avanconte veten përbrenda si forcë mbrojtëse territoriale dhe jashtë vendit në operacione ndërkombëtare krah me ushtri të shteteve anëtare të NATO-s.
Serbia përtej mospranimit të shtetit kosovar në kuptimin juridik të fjalës, mosdurimin e saj më të madh e manifeston karshi Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë të armatosur, partnere dhe të ndërveprueshme anekënd botës në misione me NATO-n e ShBA-në.
Vetëm dje Kuvendit të Kosovës iu avancua statusi prej një vëzhguesi të thjeshtë në anëtare të asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, organ ky që ndonëse i pavarur institucionalisht nga Aleanca e Atlantikut të Veriut, përbën urë të rëndësishme lidhëse për Kosovën me ombrellën më të madhe të sigurisë botërore.
Me shumicë dërmuese Kosovës iu tha ‘Po’ dje në Sofje, ndërsa ‘Jo’-së së Serbisë së artikuluar në letër/kerkesë drejtuar delegacioneve iu tha një ‘Jo’ me duar ‘Po’ lart Kosovës; si mohim-i-mohimit i përkthyer në pohim.
Vuçiq, qysh me t’u njoftuar para mëse tre muajsh për këtë prospekt avancimi të Kosovës e interpretonte në terma konspirativ se po bëhej në 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s e çka-e-mos-tjetër.
Hiç më larg se dje, shpërthyen akuza të mëdha ndaj perëndimit nga pala serbe rreth vendimit për avancim të statusit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Mbrojtjes në Kuvendin e Serbisë, Millovan Dreçun tha se “ndonëse vendimi si i tillë s’mban peshë...tregon trendin se ka po shkojnë gjërat”.
“Tash kjo do t’i lejojë Prishtinës të ketë kontakte më të forta me ambasadat e shteteve anëtare të NATO-s...Sepse kur e shihni krejt çka po ndodh është e qartë se po shkojmë në atë drejtim (të anëtarësimit të Kosovës), ngase NATO-ja po krijon FSK-në simbas standardeve të saj, të ndërveprueshëm me ta”.
“Dhe, madje edhe kushtet politike janë krijuar përmes marrëveshjes frankogjermane, aty ku dy pika kyçe imponohen: njohja ‘de fakto’ dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, i tha Millan Dreçun medias “Kosovo-Online”.
Përmes njohjes ‘de facto’, është i bindur Dreçun, katër shtetet mosnjohëse brenda NATO-s do të shkonin drejt pajtimit “për hapjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës”.
“Pra, këto edhe janë kushtet për të cilat po punohet dhe s’është më as gjë e fshehur që NATO-ja beson, ose të themi shumica dërrmuese, që Kosova të jetë pjesë e NATO-s. Dhe kjo është veçse një hap që po bëhet nga perëndimi”.
“Anëtarët e asociuar, mes tyre është edhe Serbia, nuk kanë të drejtë të vendosin, gjegjësisht të votojnë për diçka. Ata mund të marrin pjesë në disa diskutime për disa rezoluta, deklarata, por pa të drejtë vote".
Megjithatë, mund të jenë të konsultohet për disa çështje, për shembull, Prishtina mund të konsultohet kur bëhet fjalë për situatën e sigurisë, le të themi në veri apo në përgjithësi, kjo i hap hapësirë Prishtinës që të vazhdojë të paraqesë qëndrime dhe interpretime të njëanshme”, thotë ai.
Reagimet dje kanë vërshuar në të gjitha nivelet e pushtetit të Serbisë, duke akuzuar perëndimin për "shpërblim" ndaj Kryeminstrit të Kosovës, Albin Kurti, "pavarësisht", siç pretendojnë ata, "mospërmbushjes së obligimeve në dialog".