"Serbia po i shmanget duke mos e nënshkruar"; Kurti thotë se me O'Brien u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar sërish Serbinë se po i shmanget Marrëveshjes bazike dhe Aneksit të zbatimit “duke mos i nënshkruar dhe shkelur ato vazhdimisht.”
Për këtë çështje, shefi i qeverisë bëri të ditur se është diskutuar ndër të tjera në diskutimin “për më shumë se dy orë” me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.
Kurti bëri të ditur se janë diskutuar edhe për fushat ku mund të thellohen më tej marrëdhëniet Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien diskutuam për më shumë se dy orë për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më shumë raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona, pastaj për bashkëpunimin rajonal dhe për Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit të cilave po i shmanget Serbia duke mos i nënshkruar dhe shkelur ato vazhdimisht.” – tha Kurti ndër të tjera në Facebook.
Në njoftimin e Qeverisë rreth takimit u tha më tej se nënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia "është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit".