Serbia e ‘merr’ Maqedoninë edhe me banka - NACIONALE

Serbia e ‘merr’ Maqedoninë edhe me banka

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

11 gusht 2025 – Projekti për ‘botën serbe’ po e rrezikon Maqedoninë ku, pas Telekomit serb, po penetron edhe në sektorin bankar përmes ‘Alta Bank’.

Ky ka qenë paralajmërimi i sotëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, ku është shprehur shqetësimi se sektorët strategjikë të vendit po rrezikohen nga Serbia.

“Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in”, thuhet në kumtesë.

Duke u thirrur në burime brenda Bankës Popullore, kjo parti ka bërë të ditur se drejtimin e ‘Alta Bank’ në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësguvernatorja, Maja Kadievska Vojnoviq.

“Emërimi i saj, sipas BDI-së, vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë”.

Sipas burimeve të veta në Bankën Popullore, ky subjekt ka theksuar se emërimi i Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë për shkak të premtimit të tij se do të eleminojë çdo pengesë për hyrjen e ‘Alta Bank’ në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve për rreizqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane.

“Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që BDI e ka denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qendrime proruse si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend. Tani, me kapjen e sektorit bankar, ‘Bota Serbe’ do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit”, thuhet më tej në kumtesë.

Sipas BDI-së, institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi.

“Institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi. Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni.”

Në fund të kumtesës, BDI ka tërhequr vërejtjen se Maqedonia e Veriut nuk mund të lejojë që sektorët strategjikë të vendit të bëhen pronë e ‘Botës serbe’ dhe interesave të saj destabilizuese.

“Integriteti ynë financiar dhe orientimi euroatlantik janë të panegociueshëm. Heshtja ndaj kësaj agjende është bashkëfajësi, dhe qytetarët do të mbajnë përgjegjës ata që po e shesin të ardhmen e vendit për interesa të ngushta politike e financiare. Tetori po vjen dhe qytetarët do t’i kundërvihen me referendum ‘Botës Serbe’ dhe argatëve të saj”, thuhet në fund të kumtesës. /Nacionale/

Lajme të ngjashme