Serbët në jug të Kosovës s'e përjashtojnë mundësinë e largimit nga institucionet
Institucionet kosovare mund të përballen me një tjetër problem. Atë të largimit të serbëve në jug të vendit.
Këtë e ka pranuar edhe nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtic.
Ky i fundit, në një intervistë dhënë agjencisë së lajmeve "Tanjug" ka deklaruar se nuk janë larg të të vendosurit për largim nga institucionet.
Veç kësaj, ai shtoi edhe kritika ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës, për kinse me ardhjen e Kurtit në pushtet, situata për serbët e Kosovës po vështirësohet çdo ditë e më shumë.
“Situata në Kosovë që nga ardhja e Kurtit në pushtet po vështirësohet çdo ditë e më shumë për sa i përket jetës dhe pozitës së serbëve. Gjithçka që ka ndodhur së fundmi dëshmon se ndërkombëtarët nuk po e bëjnë punën siç duhet, para së gjithash as qetësimin e tensioneve”, ka thënë Jevtiq për mediumin respektiv.
Kujtojmë se nesër me datën 5 dhjetor 2022 bëhet saktësisht një muaj prej kur serbët e veriut vendosën që të largoheshin nga institucionet kosovare, vendim ky që prodhoi takime të nivelit të lartë në Bruksel, ndërsa "detyroi" presidenten Osmani që të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore.
5 nëntor
Ishte ditë e shtunë. Shkaku i situatës së qortimeve, në veri të vendit ishin mbledhur serbët e Republikës së Kosovës.
Nga kjo mbledhje doli një vendim, ai për t'u larguar nga institucionet. Këtë e pat konfirmuar atëbotë ministër aktual i qeverisë, Goran Rakiq.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksonte kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Kujtojmë, mbledhja kishte të bënte me revoltën ndaj pezullimit nga detyra të Nenad Gjuriq, drejtori i policisë për rajonin e veriut, me këtë të fundit që refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Thirrja
Me datën 23 nëntor, Kosova dhe Serbia gjetën gjuhën e përbashkët në Bruksel sa i përket çështjes së targave.
Kryenegociatori kosovar, Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq nënshkruan marrëveshjen që nga Brukseli zyrtar u pa si depërshkallëzim i situatës dhe hapje e rrugës për normalizim të plotë.
Akordin mes palëve e konfirmoi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.
Pak kohë pas marrëveshjes, erdhën edhe thirrjet për serbët që të rikthehen në pozitat e mëparshme. Një të tillë e pati edhe ambasadori britanik në vendin tonë, Nicholas Abbot.
“Unë mirëpres një marrëveshje të rëndësishme që largon një burim tensioni dhe përgëzoj të gjitha palët për kompromisin që kanë treguar. Marrëveshja për targat do të jetë veçanërisht një lehtësim për ata në veri të Republikës së Kosovws”, kishte shkruar Abott.
I welcome an important agreement that removes a source of tension and congratulate all sides for the compromise they have shown. The agreement on licence plates will, in particular, be a relief to those in the north of 🇽🇰. https://t.co/87s33RkoFy
— Nicholas Abbott (@nickabbottfcdo) November 24, 2022

