Selamfest: Në Prizren organizohet një festival me ilahi e biseda fetare, zgjat tri ditë - NACIONALE

Selamfest: Në Prizren organizohet një festival me ilahi e biseda fetare, zgjat tri ditë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sigurisht shumë nga ju, të dashur lexues, keni dëgjuar për festivalin “Doku Fest” që mbahet në Prizen çdo gusht. Por në qytetin e Lidhjes së Prizrenit, ekziston edhe një festival tjetër, shumë pak i njohur, që organizohet për herën e dyte. “Selamfest” është festivali që do të organizohet mes datave 28-30 korrik. Çka dihet deri tash?

Në fakt, kjo është hera e dytë që organizohet ky festival, pasi edicioni i parë ishte mbajtur në vitin 2019 nën moton “Paqja fillon me ty”. Sipas raportimeve të gazetave lokale, ky festival është nismë e shoqatës “Arasta” dhe në bashkëpunim me Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Siç raportohej në vitin 2019, organizimi i këtij festivali kishte ardhur për shkak të “brengës” që festivalet e tjera nuk promovojnë “vlerat kulturore autoktone” (pa u shpjeguar saktë se çka janë këto vlera). Pra festivali “Selamfest” ishte një “kryengritje” e pashpallur ndaj “Dokufestit”, që është një festival i njohur ndërkombëtarisht.

"Prizreni i pas luftës është kthyer në një qytet të aktiviteteve dhe festivaleve të shumta kulturore. Në mesin e këtyre aktiviteteve janë të pakta ato që promovojnë vlerat kulturore autoktone. Duke u nisur nga kjo brengë lindi edhe ideja e organizimit të një festivali të përvitshëm që do të konkurronte me festivalet e tjera, do të ishte shembull në promovimin e vlerave morale dhe kulturore si dhe do të krijonte një ambient të sigurt për rininë që do të marrin pjesë në të." - raportohej nga mediet lokale të kishin thënë organizatorët.

Siç mund të shihej nga pankartën zyrtare të këtij festivali, gjatë edicionit të parë kishte një promovim libri, disa ligjerata rreth islamit (të cilën e mbajti Halil Avduli, hoxhë), një bashkëbisedim me rininë me artistin e njohur Mirush Kabashin dhe Fatmir Mujën. Në fakt, artisti Kabashi kishte mbajtur edhe një monodramë të titulluar “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”.

Natyrisht, gjatë edicionit të parë nuk kishte munguar as koncertet me ilahi e këngë islame, të cilët ku kënduan nga Mesut Kurtishi dhe Egzon Ibrahimi. Në edicionin e parë ishin parë edhe njerëz të rëndësishëm të politikës lokale të Prizrenit, shkruan Nacionale.

Ndërsa në kuadër të edicionit të parë, kishte pasur edhe një “koloni të piktorëve”, ku disa artistë kishin pikturuar në oborrin e xhamisë Sinan Pasha.

Por çka dihet për edicionin e dytë?

Pas 4 viteve pauzë, “Selamfesti” është rikthyer. Tashmë është bërë publike që në mes datave 28-30 korrik do të organizohet edicioni i dytë i festivalit “Selamfest”. Madje, organizatorët e Selamfestit kanë paraqitur edhe një agjendë, ku kanë treguar se çka do të ndodhë gjatë edicionit të dytë të festivalit që pauzoi për 4 vite.

Edhe edicioni i dytë sërish ka pak a shumë të njëjtën rrjedhje. Një mbrëmje poetike, një film, një tribunë e hapur, një bisedë zemrash, program kulturor e një koncert. Në fakt, është goxha interesante fakti që në një nga personazhet që do të mbajë koncert në Selamfest është edhe Petrit Çarkaxhiu, vocalist i bandit të njohur Jericho.

Festivali duket se ka edhe përkrahje të konsiderueshme të bizneseve lokale, përfshrië përkrahjen e kompanisë së njohur të ëmbëlsirave “Liri”.

Ndërsa, sipas agjendës të publikuar nga organizata joqeveritare Arasta, Selamfesti do të mbahet në oborrin e xhamisë Sinan Pasha dhe përball kësaj xhamie.

Lajme të ngjashme