Sekretariati i KQZ-së në shërbim të VV-së | Edhe Osmani si Kurti: Trupa profesionale me shkrim na tha se 21 dhjetori është i pamundur
Gjatë së premtes Nacionale raportoi se Sekretariati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është vënë në shërbim të agjendës politike të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i dërguar presidentes Vjosa Osmani një shkresë për t’i treguar se zgjedhjet e parakohshme nuk do të mund të mbaheshin më 21 dhjetor 2025.
Pikërisht kjo shkresë, mjaftoi që t’i shërbejë presidentes Osmani që ta caktojë datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve.
Para dy muajve, Osmani kishte deklaruar se 21 dhjetori është datë e pamundur për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
“Të gjitha partitë politike e dinë shumë mirë që për shkak afateve kushtetuese, para meje kanë qenë vetëm dy mundësi, data 21 dhjetor dhe data 28 dhjetor. Sa i përket datës 21 dhjetor, mua më është dërguar vlerësime me shkrim i trupave profesionale të KQZ-së , ku është vlerësuar, po citoj, që është praktikisht e pamundur, zgjedhjet të organizohen në mënyrë të rregullt për datën 21 dhjetor” – kishte thënë ajo.
Ndërkohë sot, ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që sot e ka zbuluar ekzistencën e kësaj shkrese të Sekretariatit të KQZ-së.
“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ka thënë Kurti, duke insistuar se nuk ka pasur mundësi që zgjedhjet të organizohen në një datë tjetër.