“S’e paskna ditë”: Dy mësues kosovarë rrëfejnë punën e pabesueshme që bëjnë për 400 euro
Çka mendojnë mësimdhënësit rreth zhurmës dhe përplasjeve që bëhen rreth tyre? Cila është paga e tyre dhe a iu del ajo? Sa orë në ditë punojnë? E si është një ditë e një javë pune për një mësimdhënës? Apo edhe çka mendojnë për grevën që po paralajmërohet nga sindikata e tyre dhe që thuhet se do të nisë brenda pak ditëve?
Për mësuesit e Kosovës thuhen gjërat më të përkundërta që mund të mendohen. Nga ‘fanarë’ të dijes dhe lirisë e deri te kultivues të analfabetizmit. Debati shoqëror për ta po vlon veçanërisht pas kërkesave të pareshtura nga përfaqësuesi i tyre, Rrahman Jasharaj, për rritje të pagave dhe kushteve të punës.
Gazeta Nacionale përmbledhtazi do të diskutojë këto me arsimtarët Flamur Foniqi dhe Fatmir Dervishi.
****
Fatmir Dervishi kishte nisur punën si arsimtar i matematikës në vitin 1997 në shkollën fillore ‘Dardania’ në Prishtinë, ku vazhdon të japë mësim edhe sot. Një vit më pas do të lindtte Flamur Foniqi, i cili sot është arsimtar i lëndës Gjuhë Shqipe. Foniqi do të niste karrierën si mësimdhënës në vitin 2021, në shkollën ‘‘Gjergj Kastrioti’’ në Llazicë të Malishevës – atë vit Dervishi do të hynte në vitin e 24-t të karrierës së tij si mësimdhënës.
Pak a shumë, të dytë e nisin ditën njëjtë. Të dy e nisin orën e parë mësimore në 7 e 30 të mëngjesit. Një orë mësimore për ta zgjat 45 minuta dhe kanë vetëm 5 minuta për t’u përgatitur për orën tjetër mësimore. Pushimin e gjatë brenda ditës e kanë vetëm 15 minuta. Ndërsa daljet para nxënësve i kryejnë diku kah ora 1 e pasdites.

Ani pse shumëkush mendon se këtu kryhet puna e një mësimdhënësi – theksohet vazhdimisht se punojnë vetëm gjysmë orari – arsimtarët s’pajtohen me një gjë të tillë. Atyre u duhet të përgatisin planin mësimor ditor për çdo ditë dhe siç shtojnë, kjo punë kërkon angazhim shumë të madh.
‘‘Plani ditor bëhet për çdo ditë. Unë kam pesë klasë me mbi 30 nxënës dhe më duhet ta përgatis planin për secilën orë. Kjo më merr gati gjysmën tjetër të ditës’’, thotë arsimtari i matemtikës, Fatmir Dervishi, i cili edhe çuditet me ata që që këtë pjesë të ditës së mësimdhënësve s’e cilësojnë si punë.
Mirëpo, arsimtari i kupton zërat që thonë se mësimdhënësit s’punojnë siç duhet dhe se kjo është pak a shumë sikurse në secilin sektor tjetër, por thekson se përgjithësimi nuk është i drejtë dhe se e gjitha duhet të shikohet më thellë dhe kështu mund të gjejmë zgjidhje të problemeve.
Për mungesën e rezultateve të sistemit të arsimit flet edhe Flamur Foniqi.
‘‘Duke qenë pjesë e një institucioni të rëndësishëm e me përgjegjësi, patjetër që edhe nga ne kërkohet të jemi të rëndësishëm e përgjegjës për institucionin’’, thotë Foniqi për gazetën Nacionale.
Mirëpo, ai insiston se duhet të krijohet një simbiozë e efektshme brenda këtij binomi, ku rregullorja dhe politikat e brendshme administrative të institucionit përkatës e imponojnë një regjim të caktuar në kronologjinë jetësore të secilit.
‘‘Sistemi arsimor funksionon brenda një hierarkie. Me këtë nënkuptoj hospitimin në nivele. Nëse i qasem më objektivisht, them që çdo mësimdhënës e njeh qartë zinxhirin komandues brenda shkollave. Detyrat dhe përgjegjësitë e secilit shpërndahen varësisht nga natyra e funksionit që duhet ushtruar’’, thotë ai.
Arsimtari i lëndës së Gjuhës Shqipe thekson se s’mund të mohet fakti se çdo mësimdhënës në ditët e sotme i përmbahet skajshmërisht ‘një kushtetute që siguron efektshmëri dhe rezultat’.
‘‘Kurrikula me të cilën funksionojmë është dorë e drejtpërdrejtë e Ministrisë së Arsimit mbi shkollën, mbi mësimdhënësin, mbi nxënësin, e mbi kategori tjera ekzistuese’’, insiston Foniqi.
Nisur nga përvoja e shkurtër si mësimdhënës, Foniqi thekson se për të pasur rezultate në sistemin e arsimit duhet të kombinohen disa faktorë dhe të bashkërendohen disa institucione.
Sigurimi i mjeteve shkollore, krijimi i klimës së favorshme për mësimdhënie e mësimnxënie, monitorimi i përshtatshmërisë së nxënësit me atë që ligjërohet, ngritja në nivelin e mësimit inkluziv, përshtatja e ligjërimit me prirjet e nxënësve, vlerësimi i bazuar në meritokraci e paanshmëri, plotësimi i kërkesave të nxënësve, e të tjera veprime të ngjashme, sipas tij janë ato që ‘‘padyshim rrumbullakojnë një edukim e arsimim që jep rezultat’’.
‘’Kam një kërkesë që mbahet si e patjetërsueshme e që ndoshta përqafohet nga të gjithë. Këtu mendoj digjitalizim më të madh të shkollave’’, thotë Foniqi.
Matematikani Dervshi në anën tjetër thekson numrin e madh të nxënësve me të cilët një mësimdhënës merret përgjatë gjithë javës.

‘‘Brenda javës i kam 200 nxënës me të cilët duhet të merrem. Tash, sipas planit mësimor ne duhet të bëjmë teste të vazhdueshme për nxënësit. Nëse i llogarisim [numrin e nxënësve dhe pyetjet e testit për secilin] për një muaj ne duhet t’i përgatisim dhe t’i kontrollojmë mbi 2 mijë detyra’’, thotë Dervishi.
Ai po ashtu tregon se ka mësimdhënës që kanë numër edhe më të madh të nxënësve. Dervishi e ka fjalën për mësimdhënësit që kanë vetëm nga një orë mësimore për klasë brenda javës - që kryesisht janë mësimdhënës të lëndës së Muzikës dhe Artit Figurativ.
‘‘Atyre u bjen t’i kenë deri në 20 klasë brenda javës. E numrin e nxënësve me të cilët ata merren brenda javës, llogariteni vetë’’, thotë Dervishi.
***
Nacionale bisedoi edhe për pagat e paralajmërimin për to, me arsimtarët Dervishi e Foniqi.
‘‘[paga] Hakesh nuk i del hiç [arsimtarit]’’, thotë Dervishi, përderisa Foniqi thotë se ‘‘këtu shpesh reagimi na imponohet nga standardi jetësor’’.
Mësimdhënësit paguhen varësisht cilit cikël të sistemit arsimor i takojnë dhe në llogari nga vitet e punës; pagat janë në mes 390, 420 e deri në 450 euro në muaj.
‘‘E kjo është diçka gati e pashmangshme dhe që brumos pothuajse çdo mendim që ua themi të tjerëve’’, thotë Foniqi.
Dervishi thekson se paga e mësimdhënësit duhet të jetë në një rangim të drejtë dhe të merituar sa i përket pagave të sektorit publik, ndërsa Foniqi ka frikë se gara për më të paguarit e sektorit publik mund të krijojë ‘pangopësi e reagime që nuk kanë sens’.
‘‘Më duhet të them mendimin lidhur me fushën të cilës edhe i takoj. E them dhe e ruaj si kryefjalë atë që deklarova më sipër, pra gjykimin e thellë të situatave, mbledhjen e të mirave dhe llogaritjen e pasojave’’, thotë Foniqi.
Dervishi thotë se rritjen e pagës së mësimdhënësit duhet ta lidhim edhe me rritjen e kostos së jetës në vitet e fundit, por megjithatë, më e rëndësishmja për të është se një pagë e dinjitetshme e arsimtarit është një prej elementeve mbi të cilat mund të ngritej cilësia e arsimit në Kosovë.
.jpg)
‘‘Edhe i motivon, edhe e rrit llogaridhënien’’, thotë arsimtari Fatmir Dervishi.
Arsimtari i matematikës thekson se rezistenca ndaj rritjes së pagave të mësimdhënësve është edhe për shkak se shumëkush s’e di me të vërtetë se sa punë bëjnë ata dhe ku përmenden angazhimet shtesë që kanë gjatë javës, e po ashtu pamundësitë teknike nëpër shkolla.
‘‘Kur po u kallëzon njerëzve për punën që bëjmë, për punën që nuk shihet e nuk flitet shumë, atëherë po thonë ‘qeto s’e pasna ditë’’, thotë ai.
‘‘Duhet të përjashtohen mundesitë e ndërprerjes së procesit mësimor dhe të vihen në funksion gjykimet që e sjellin zgjidhjen. Financuesi e kërkuesi mund t'i kenë arsyet e tyre, mirëpo jo me mjet nxënësin. Përfundimisht, nuk duhet që gjatë synimeve për të arritur diçka të mirë, në heshtje të krijohet diçka e keqe’’, thotë Flamur Foniqi.
Në anën tjetër, Fatmir Dervishi thotë se përkrah thirrjet e sindikatës së arsimit për t’u rritur pagat e mësimdhënësve.