“Së pari Kosova”, Çitaku reagon sërish për përplasjet brenda PDK-së
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kososvës, Vlora Çitaku ka reaguar sërish pas një përplasje e cila u nxit, nga disa fotografi të postuara në Facebook, ku shihej vet Çitaku e kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi, teksa shoqëroheshin me aktivistin Rron Gjinovci.
Kjo, nxiti reagimin e ashpër të sekretarit të nëndegës në Prishtinë të partisë më të madhe opozitare, i cili tha se “me tipa si Rron Gjinovci, as në dekë as në dasëm”.
Çitaku i reagoi ashpër poashtu, duke thënë se janë disa njerëz jo relevant në PDK, e që po mundohen të përfitojnë duke u asocuar me ta.
Debati vazhdoi edhe me disa statuse të tjerë, teksa Çitaku duket se dëshiron ta përmbyllë këtë debat.
Çitaku ka përkujtuar disa nga përçarjet në skenen kosovare, duke shtuar në fund se duhet më shumë dashni, e sidomos mos të harrohet sllogani me të cilin PDK, garoi në zgjedhje: “Së pari Kosova”.
Statusi i plotë i Çitakut:
Mentaliteti linçues e përjashtues është i rrezikshëm për shoqërinë. Fatkeqësisht, atë farë të urrejtjes e ka mbjellë Lëvizja Vetëvendosje. E mbajë mend, e patën linçu militantat Shpend Ahmetin veç pse në një lojë basketbolli ia patë dhanë dorën Presidentit Hashim Thaçi.
Kjo mendësi është e rrezikshme. Po e njejta mendësi e pati krijuar bllokun kundër PDK-së për t’ia pamundësuar qeverisjen përkundër fitores bindëse në zgjedhje.
Aq shumë është hedhë vnerë në këtë shoqëri e kundër njëri tjetrit sa që padurimi ndaj kundërshtarit politik është shndërru në mohim e padurim ndaj vendit.
E PDK, si parti shtetndërtuese e ka për detyrë me e ndalë këtë cikël. Oponentin me e trajtu me konsideratë. Në jetën publike duhet me e ditë që me dikë pajtohemi, me dikë jo. Po me folë duhet me secillin. Pa ngarkesa.
Urrejtja është barrë e rënde. Ta verbon arsyen.
Ma shumë dashni e mos harroni slloganin fitues e kemi pasë “ Së pari Kosova”.

