S'donte të mbështeste opozitën "për muri": A do të tërhiqet Konjufca nga kandidatura për president? - NACIONALE

S'donte të mbështeste opozitën "për muri": A do të tërhiqet Konjufca nga kandidatura për president?

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Glauk Konjufca ishte "zgjedhje e momentit të fundit, sa për të nisur procedurën", pranuan nga Vetëvendosje, referuar mbrëmjes dhe orëve të fundit të afatit të rreptë kushtetues para-30-ditor për përfundimin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës më 5 mars. Vigan Qorolli, juristi dhe deputeti i Vetëvendosjes mbrëmë në "Pressing" të T7, tha po ashtu se me tërheqjen e kandidaturave automatikisht bëhet edhe rikthimi i 60 nënshkrimeve të deponuara për dy kandidatët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun. Se a do të ndodhë kjo, ai as mohoi, as pohoi, por e shtroi si proceduralitet. Konjufca në një konferencë për shtyp para disa javësh pati thënë se Vetëvendosja po synon kandidat konsensual dhe se nuk dëshiron "të mbështesë opozitën për muri." Ndërsa Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes tha se si parti "do të bëjmë gjithçka në dorën tonë" që vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja, pak orë para se të dilte Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Organi më i lartë kushtetues i dha Vetëvendosjes edhe 34 ditë shtojcë, në formë përjashtimi nga rregulli, për të zgjedhur President të Kosovës, duke arsyetuar kuvendi në momentin e konstituimit nuk i kishte 60 ditë për procedurë të zgjedhjes së president, por harxhoi vetëm 26. rrjedhimisht edhe 34 ditë shtesë. Vetëvendosja e festoi vendimin e GjK-së triumfalisht si fitore ndaj asaj që e konsideruan "arbitraritet" të Vjosa Osmanit për shpërndarë Kuvendin pa bazë kushtetuese, i cili dekret u anulua.

Me t'u publikuar Aktgjykimi partitë politike janë deklaruar, dikush më shumë e dikush më pak, se çka pason. Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit të saj, Lumir Abdixhikut, e përshëndeti Aktgjykimin ndërsa përmendi sërish "marrëveshje politike" për zgjedhje të Presidentin, i cili duhet të jetë "figurë përbashkuese."

"Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt,” tha ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm nuk do të mbështesë “këta emra që janë në tavolinë” për president, përkatësisht Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxhën të Vetëvendosjes.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, deklaroi se: “Deri tash… nuk kemi votë”. Ai akuzoi partinë Vetëvendosje se “po përgatit terren për t’i akuzuar të tjerët”, duke shtuar se “nuk shoh fare sinqeritet”.

Sipas tij, “nuk po ekziston një atmosferë dhe një vullnet” për ta përmbyllur procesin pa zgjedhje nacionale.

Gjini theksoi se “gjithçka që po përdoret… ka një qëllim të vetëm: për të përgatitur terren për fajësim”. Për vendimin e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës, ai tha se është “obligativ… na pëlqejë apo nuk na pëlqejë”. Megjithatë, debatet aktuale i cilësoi si “më shumë egoiste”, duke shtuar se është “garë se kush kujt t’ia hedhë fajin”.

Partia Demokratike e Kosovës do të thërrasë Këshillin Drejtues për të vendosur hapat e ardhshëm politikë, njoftoi Vlora Çitaku, duke theksuar se “do të diskutojmë për aktualitetin e rëndë politik” dhe vendimet që pasojnë; kjo vjen pas afatit 34-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për zgjedhjen e presidentit, ndërsa PDK thekson se respektimi i këtij vendimi “s’është çështje diskutimi”, teksa Bedri Hamza deklaroi mungesë ftese nga Lëvizja Vetëvendosje për konsultime.

Lajme të ngjashme