SBAShK-u do të marrë pjesë në marshin e organizuar nga “Liria ka emër”
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se anëtarësia do të jenë pjesë e marshit për drejtësi, të organizuar nga “Liria ka emër” në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Në njoftimin e SBASHKU-ut bëhet e ditur se njëzëri është vendosur që edhe SBASHK-u do të marrë pjesë në këtë aktivitet me një numër të konsideruar të anëtarësisë.
“Anëtarësia e SBASHK-ut do të jetë pjesë e Marshojmë për drejtësi. SBASHK në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve përveç për temat aktuale në arsim dhe në aktivitetet sindikale ka bashkëbiseduar edhe për kërkesën e shumë kolegeve e kolegëve tanë që nga çerdhet e deri në Universitete për mbështetjen e aktivitetit “Marshojmë për drejtësi”organizuar nga iniciativa “Liria ka emër”. Në këtë takim pjesëmarrësit njëzëri kanë vendosur që edhe SBASHK me një numër të konsideruar të anëtarësisë të marr pjesë në këtë aktivitet.” – thuhet në njoftimin e tyre.
Më 3 prill edhe zyrtarisht do të fillojë gjykimi kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës. Megjithatë, para kësaj, do të ketë tri protesta (marshime) duke kërkuar drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Një protestë do të mbahet të shtunën në Amerikë, tjetra të dielën në Prishtinë, dhe e treta të hënën në Hagë.
