Sanksionet ‘të gdhendura në gur’: As Presidentja e KE-së s’premton për heqjen e tyre - NACIONALE

Sanksionet ‘të gdhendura në gur’: As Presidentja e KE-së s’premton për heqjen e tyre

4 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Çka në fjalë të përzbutura u emërtuan ‘masa ndëshkuese’ – i.e sanksione – janë gdhendur thuajse në gur tash e gati një vit e gjysmë: e heqja tyre s’duket askund në horizont.

Rreth treqind milionë euro mbetën të bllokuara: kryesisht për projekte infrastrukturore të nivelit lokal – si kanalizime (etj.) që përbëjnë dimensionet më të përditshme e të prekshme në jetën e qytetarëve.

Për heqjen e sanksioneve “ka ende punë për t’u bërë”, tha hiç më larg se sot Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj në Prishtinë.

Liderët e shtetit vazhdojnë t’i quajnë të padrejta ndërsa kërkojnë hejqen “e menjëhershme” të tyre: çka pretendojnë se ashtu ka kërkuar edhe vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.

Ky i fundit, siç u pat raportuar asokohe, ishte për heqjen graduale të tyre – si impetus dhe mesazh për shtensionim të situatës në veri: për çka, mëpastaj, fajësuan qeverinë kosovare për vazhdimin e kursit të njëjtë.

Njëjtë tha edhe kohëve të fundit emisari gjerman, Manuel Sarrazin, se “masat do të hiqeshin...por qeveria kosovare po na befason”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të dy, ia kërkuan von der Leyen-it heqjen e masave.

Është koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveçse të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës, pa dallim”

“(Sanksionet) kanë dëmtuar edhe vetë procesin e dialogut, duke e bërë atë tërësisht të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, ka thënë Osmani.

Ursula von der Leyen s’pati feedback të mirë për Osmanin:

Duhet hapa të mëtejmë që të arrihet në pikën ku mund të hiqen masat...të binden shtetet anëtare pasi edhe siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë pajtohen”, tha von der Leyen.

As gjermanët s’dhanë prospekt premtues se – në kursin e etabluar qeveritar – masat mund të hiqen thjesht-ashtu: “Nuk po jepni shans për sukses”.

Beprimet e pakoordinuara dhe të njëanshme në veri, duke na befasuar neve dhe partnerëve që po mundohen të sigurojnë shumicën për këtë në institucionet evropiane, nuk po jepni shanse për të pasur sukses” – tha Sarrazin në “Atlantic Council” ditëve të fundit.

As Bashkimi Evropian – si tërësi njëzet e shtatë shtetëshe – fjalët s’i ka pasur premtuese.

Zëdhënësi Peter Stano, e përjashton thuajse me automatizëm kërkesën si refren për heqjen e tyre teksa edhe rikutjon deklaratën e 3 qershorit të vitit të kaluar për paralajmërim të sanksioneve,.

Nuk është Kosova dhe as kryeministri i saj që vendos nëse masat do të hiqen apo jo, ky është një vendim që duhet ta marrin shtetet anëtare. Përfaqësuesi i Lartë ka lëshuar më 3 qershor një Deklaratë në emër të BE-së, e pasuar nga raporti i HRVP-së për përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Diskutimet për heqjen e masave për Kosovën vazhdojnë mes shteteve anëtare në Këshill”, u shpreh Stano kohëve të fundit.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, duke folur për gazetën Blic, komentoi kërkesën e Kurtit; duke thënë se ky i fundit e di fare mirë që “ato nuk hiqen as me lutje e as me urdhëra”.

Kërkesa e Kurtit për heqjen e masave, të cilën kërkesë e bëri publike, edhe pse ai mirë e dinë që ato nuk hiqen as me lutje por as me urdhëra. Për tu hequr masat (sanksionet) ndaj Kosoves është një proces i stermundimshëm".

"Secili Vend i BE veç e veç duhet të miratoj heqjen e masave e pastaj në emër të BE vendoset heqja e tyre. Pa i kry detyrimet që BE ia kërkon Kosovës nuk e besoj që do ketë lëvizje pozitive në ketë drejtim”, ka thënë Haliti

Lajme të ngjashme