Samiti i Procesit të Berlinit: Scholz-i kërkon "përshpejtim" të normalizimit Kosovë - Serbi dhe treg të përbashkët rajonal
Samiti i Procesit të Berlinit ka filluar në mëngjesin e sotëm, në një ngjarje që pritet të ketë rëndësi të madhe për Kosovën, por edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë. Çka ndodhi deri tash?
Pak para orës nëntë të mëngjesit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbërriti në Kancelarinë Federale të Gjermanisë në Berlin. Njësoj edhe krerët e tjerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e tjerë.
Fjalimi hapës u mbajt nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Çka tha Kancelari Scholz?
Scholz-i e përsëriti qëndrimin se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ju gjashtë vendet e Ballkanit (Perëndimor) i përkisni Evropës së lirë dhe të plotë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë. Premtimi për të ardhmen evropiane për ju është punë e jona për ta kthyer në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot” - u shpreh ai.
Sidoqoftë, z. Scholz nuk ngurroi që t'i përmendte specifikisht edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është koha për t'i tejkaluar konfliktet rajonale që ju ndajnë e ju mbajnë të përçarë në rrugëtimin evropian. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet në mënyrë që të prodhojë rezultate” – tha ai.
Ky qëndrim i z. Scholz i ishte shprehur edhe gazetës Nacionale me anë të një përgjigjeje për Draft-Statutin e Asociacionit, një version i të cilit ishte publikuar.
“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike, sa i përket rrugës drejt normalizimit të plotë, duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren” – ishte shprehur një zëdhënëse e Qeverisë Federale të Gjermanisë.
Scholz-i vazhdoi më tej në këtë samit duke folur edhe për tregun e përbashkët rajonal:
“Sot po bëni tre hapa madhorë në këtë rrugëtim duke nënshkruar tri marrëveshje tejet të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do t'i nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t'u mundësojnë qytetarëve tuaj që t'i kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva t'i plotësojnë studimet e tyre në Beograd apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane” – tha ai.

E gjithë kjo ide është interpretuar nga komentues politikë si një ide rivale e nismës së Ballkanit të Hapur.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës e ka publikuar thjesht fotografinë e përbashkët të liderëve që morën pjesë në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Kurti në Berlin ndërkohë është takuar me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, por edhe me ndërmjetësuesin e dialogut, Mirosllav Lajçak.
Borrell-i njoftoi se me Kurtin e ka diskutuar “situatën në veri të Kosovës”.

Në agjendën e Samitit të Procesit të Berlinit parashihet edhe një diskutim në lidhje me “sigurimin e furnizimeve të energjisë dhe gjetjen e burimeve të reja të energjisë.”
Për to, në një shkrim të sajin në twitter, foli edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.
Më vjen mirë të shoh të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor në Berlin, një javë pas vizitës sime në rajon.
Ne jemi këtu për të thelluar integrimin tonë ekonomik.
Duke filluar me energji.
Tutje Presidentja e Komisionit tha se mbështetja në energji prej 1 miliardë eurosh, që është ndarë nga Bashkimi Europian, për Ballkanin Perëndimor, do të ndihmojë të formojë të ardhmën e përbashkët energjetike.
Paketa jonë e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojë të formojmë të ardhmen tonë të përbashkët energjetike. ka thënë ajo.
Good to see all Western Balkans partners in Berlin, one week after my visit to the region.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) November 3, 2022
We are here to deepen our economic integration.
Starting with energy.
Our €1 billion Energy Support Package for the Western Balkans will help us shape our common energy future. pic.twitter.com/e4v3KcJLBo
Ndërkohë, në orën 14 e 15 minuta parashihet një konferencë e përbashkët shtypi mes kancelarit Scholz, presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula Von der Leyen, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Pikërisht Shqipëria do të jetë nikoqire e Samitit të radhës të Berlinit.