Samiti i Procesit të Berlinit mbahet nesër: Çka duhet të dimë?
Të enjten e 3 tetorit pritet të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit 2022 për Ballkanin Perëndimor. Çka dihet deri tash?
Ky samit do të mbahet në Berlin, dhe do të kryesohet nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Në të do të marrin pjesë edhe krerët e shteteve nga Ballkani Perëndimor, dhe përfaqësues të vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar, e po ashtu edhe nga institucione ndërkombëtare financiare dhe organizata të tjera rajonale.
Pse?
Siç shkruan Banka e Investimeve Evropiane, kjo ka ardhur pas implikimeve që kanë ardhur nga invazioni rus në Ukrainë.
“Marrë parasysh implikimet e invazionit rus në Ukrainë, agjenda do të ketë fokus të veçantë në sigurinë energjetike e në tranzicionin e gjelbër dhe në përkujtimin e rajonit për të përshpejtuar zbatimin e Agjencës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.”
Aty thuhet se po ashtu do të adresohen iniciativa për të rrizur zhvillimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, të njoftuar nën Procesin e Berlinit në nëntorin e vitit 2020.
Ku është kryeministri Kurti?
Kurti është parë në Mbretërinë e Bashkuar në takim me disa deputetë britanikë, por në një takim të ndarë edhe me Sekretarin e Punëve të Jashtme të këtij shteti.
Kryeministri do të marrë pjesë në këtë ngjarje, dhe pritet të ketë një adresim – sipas disa medieve – edhe për planin franko-gjerman të përfolur vazhdimisht kohët e fundit.
Kurti ka qenë një ndër kundërshtarët më të mëdhenj edhe të Ballkanit të Hapur, ide e përqafuar nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi. Këto tri shtete tashmë janë bërë bashkë në këtë nismë rajonale, e cila është parë nga disa analistë si projekt konkurrues i Procesit të Berlinit.
Çka është procesi i Berlinit?
Procesi i Berlinit ishte themeluar në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipërinë, Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë) për të përshpejtuar bashkëpunimin e ngushtë me BE-në dhe për të zgjeruar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si një gjë kyçe për rritje ekonomike dhe për paqe në Ballkanin Perëndimor.
Siç shkruan BIE, fokusi i saj janë çështjet si “zhvillimi infrastrukturor, biznesi, shkëmbimet rajonale të të rinjve, pajtimi dhe shkenca.
Paraprakisht?
Paraprakisht, Procesi i Berlinit kishte mbajtur edhe tri takime të tjera: më 20 tetor ishin takuar ministrat e Punëve të Brendshme; më 21 tetor ishin takuar ministrat e Punëve të Jashtme; dhe më 24 tetor ishin takuar ministrat e sektorit të Energjisë.
