Sami Lushtaku lirohet në procedurë të rregullt
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është liruar në procedurë të rregullt, kanë konfirmuar avokatët e tij.
Hetues nga Prishtina, e intervistuan mbrëmjen e së premtes Lushtakut në objektin e Policisë në Skenderaj.
Pak para se të hynte aty, Lushtaku postoi një shkrim në rrjetin social Facebook, ku mes tjerash tha se respekton institucionet e drejtësisë.
“I respektoj institucionet për të cilat unë dhe bashkëluftëtarët e mi kemi luftuar dhe kemi dhënë gjithçka.
Për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk respekton as Policinë e as Prokurorinë, që Kushtetutën e shkel sa herë i konvenon politikisht, unë i respektoj dhe ju përgjigjem gjithmonë institucioneve të Republikës.
Bëj thirrje për qetësi dhe maturi ndërsa shpresoj që Prokuroria të mos instrumentalizohet, por ta kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur, pa ndikime dhe pa presion!”, ka shkruar ai.
Theksojmë se Lushtaku dyshohet që të enjten e sulmoi fizikisht kreun e Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani.
Disa orë pas rastit, rreth mesnatës, Njësia Speciale u pa në rrugët e qytetit të Skenderajt, duke ndaluar veturat atje.
Një gjë e tillë ka nxitur reagime të shumta në opinion publik. Kreu i PDK-së, Bedri Hamza ka kërkuar nga Albin Kurti t’i ndalojë këta skenarë përçarës.
“Mbrëmë pamë skena aspak të mira, ku Policia e Kosovës, me urdhër të Qeverisë, dërgoi njësi speciale në Drenicë me prapavija presioni dhe demonstrimi force. E porosis kryeministrin në detyrë të ndërpresë propagandën, të ndërpresë urrejtjen dhe, para së gjithash, t’i ndalë menjëherë provokimet dhe keqpërdorimin e shtetit për skenarë të tij partiakë. Ai nuk mund ta parandalojë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm përçarës. Ndalu, Albin. Kërkoj nga votuesit e PDK-së dhe nga të gjithë qytetarët ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të fokusohen në datën 7 qershor. Aty do ta japim me votë përgjigjen tonë ndaj politikës së përçarjes”, ka shkruar Hamza.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pretenduar se nuk ka ditur asgjë për dërgimin e Njësive Speciale në Skënderaj.
“Në lokalin në Skenderaj, ku është rrahur e përgjakur Hysni Mehani, kandidat për deputet, ka kamera dhe ka shumë dëshmitarë. Meqë mora vesh dy veta janë arrestuar. Për përshtypjen time, reagimi i policisë dhe prokurorisë është i vonuar. S’e di çfarë ka ndodhur pas mesnatës, por e di që reagimi është dashur të jetë më i shpejt. Aktivistët e VV-së për statusa në fejsbuk janë dënuar me nga një vit burg, ta shohim tash Prokuroria për ata që marrin gotë e përgjakin zv.ministra, çfarë ndëshkimi do të kërkojë e çfarë dënimi do të japë gjyqësori”, ka thënë Kurti.