Sallahu për ligjin e KPK-së: Ka pasur shumë përkrahje, vetëm opozita ishte kundër
Duke komentuar vendimin e Kushtetueses për shpalljen anti-kushtetues të ligjit të KPK-së, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se kundër këtij ligji ka qenë vetëm opozita.
I ftuar në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka theksuar se ky ligj ka pasur përkrahje më shumë se çdo ligj tjetër.
“Nuk ka pasur ligj që ka pasur përkrahje më të madhe, qoftë nga shoqëria civile që ka qenë pjesë e procesit, qoftë nga Zyra e BE-së, qoftë nga Zyra amerikane, qoftë nga ambasada e Mbretërisë së bashkuar, pra të gjithë këtë akterë, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, Komisioni i Venecias, të gjithë këta kanë dhënë rekomandimet e veta të cilat janë kthyer në dispozita, vetëm opozita ka qenë kundër,”- ka shtuar Sallahu.
Kujtojmë se pas vendimit të Kushtetueses, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu kishte reaguar, duke e quajtur si “absurd”.
“Është absurde se si Kushtetuesja e gjeti si ndikim të politikës, që në KPK të jetë një anëtar nga Avokati i Popullit, derisa Komisioni i Venecias këtë e ka konsideruar në raport me standardet ndërkombëtare. Pse Gjykatës Kushteutese ju deshën 9 muaj për të nxjerrë këtë Aktgjykim. Pse na morën 9 muaj? Pse iu nevoitën kaq shumë kohë?”- ishte shprehur Haxhiu.
