Sa kuti me vota janë hapur dje në Mitrovicë?
Jahir Sumiçi, përfaqësues i PDK-së në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë, thotë se nga 35 kuti të hapur atje, ‘shihet qartë se vullneti i qytetarëve është devijuar’.
Kryesuesi i PDK-së në Qendrën Kombëtare të Numërimit në Mitrovicë, Jahir Sumiçi, ka thënë kanë bojkotuar dje procesin e numërimit, përkundër që prokurori u kishte kërkuar të kundërtën.
“Kemi bojkotuar numërimin sepse prokurori i rastit që ka ardhë ka tentuar në mënyrë ad hoce të na bëj presion që të vazhdojmë procesin e numërimit. Ne kemi refuzuar numërimin dhe punën pastaj kanë ardhë organet gjegjëse dhe zyrtarisht kanë ndërprerë numërimin”, ka thënë Sumiçi sot para mediave.
Ai ka sqaruar se dje nga ora 10 deri në orën 19:00, kur është ndërprerë procesi i numërimit, janë hapur 35 kuti votimesh dhe thotë se ‘pothuajse në të gjitha kishte gabime’.
“Kështu ka ndodhur dje në Mitrovicë, prej orës 10 deri në orën 19. Prej orës 10 deri në orën 19 të mbrmjes janë hapur 35 kuti, prej tyre dhjetë ka vendvotime që kanë lëvizur nga klasa në klasë apo nga shkolla në shkollë.
Mund të jetë dy apo tri, që mund të jenë gabime në shtyp. Por në të gjitha ka shpërputhje dhe dallime në numra serik dhe numrat e vendvotimeve.
Ne asnjëherë nuk kemi dyshuar dhe nuk kemi ngritur dyshime në procesin e numërimit sepse të gjithë që jemi këtu, jemi shokë dhe nuk kemi asgjë të keqe me askënd”, thotë Sumiçi.
Ai thotë se çka kanë gjetur nëpër kutitë e votimeve, ‘tregon qartë se është devijuar procesi i votimit në Mitrovicë”.
“Por ajo që është gjetur brenda kutive të votimit, ngrit dyshime shqetësuese se është devijuar vullneti i qytetarëve të Mitrovicës.
Ajo që kemi gjetur këtu, është e kundërta nga ajo që thotë KQZ. Ne kemi gjetur psh. Në shkollën ‘Abdullah Shabani’ në klasën 11, ka fletëvotime të klasës 10. Ka që kanë lëvizur edhe prej shkollës në shkollë dhe prej klasës në klasë.
Këto janë të faktuara, janë të dokumentuara dhe të procesuara”, ka thënë Sumiçi.
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot ka pranuar sqarimin zyrtar nga kompania sllovene CETIS, e cila ka shtypur fletëvotimet.
“Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”, thotë KQZ.
KQZ veç tjeash, thotë se është njoftuar Prokuroria e Shtetit, ndërkohë, kujtojmë se nga mbrëmë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ‘spostuar’ numërimin e votave atje.