(S)a ia doli Konjufca të qëndrojë 'esëll' në shpërthimin e një-javshëm ndaj ShBA'së? - NACIONALE

(S)a ia doli Konjufca të qëndrojë 'esëll' në shpërthimin e një-javshëm ndaj ShBA'së?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Në përplasjen e madhe një-javore mes kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, me mbarë aleatët jetikë perëndimorë (më theksueshëm me ShBA’në) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dhe figura numër dy për nga autoriteti në Lëvizjen Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk morri pjesë – së paku jo në fërkimet verbale që u shpërfaqën masivisht që nga e premtja e kaluar. Konjufca, i cili jo rrallëherë provon të mirëmbajë esëlli në deklarime (me një relaksim jashtëpartiak), as kësaj here nuk i kontriboi Vetëvendosjes dhe Qeverisë në diskurs vetëmbrojtës-me-çdo-kusht ndaj kritikave të mëdha që kishin lëshuar aleatët si ShBA, Gjermania, por edhe tërë shtetet e QUINT-it.

Mendoj se pozicionet tona nuk po kuptohen drejtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, do të thoshte Konjufca me tonet më të buta të artikulimit të një përgjigje ndaj gazetarëve në një konferencë për media, ku elefanti në dhomën e konferencës do të ishte dënimi brutal deklarativ i Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Këtë të fundit, shefi i qeverisë, Albin Kurti, e quajti “naiv”, përkthyeshëm: të papërvojë, me mungesë të njohurive për ngjarjet reale, ose të pashëndosh në gjykim. Konjufca, jo, megjithatë.

Nuk është hera ta them të drejtën që po na ndodhë kjo. Më kujtohet edhe para dy viteve kur ishte çështja e reciprocitetit. Hasëm asokohe në një gjuhë të ashpër, në një qortim të ashpër për Republikën e Kosovës; kjo nuk është e mirë për ne. Ne pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës”, tha Konjufca duke e mbajtur një ton të pangarkuar me defanzivitet të paarsyeshëm.

Se situata ishte siç ishte në shpërputhjen e plotë mes Kurtit dhe ShBA’së, Konjufca ishte jo pak i shqetësuar. “Duhet të bëjmë dialog të hapur me ShBA-në”, tha ai, në një kohë kur ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kishte treguar se Kurti nuk i ishte përgjigjur as edhe një troh kërkesave dhe këshillave amerikane.

Duhet t’i argumetojmë – ndoshta më mirë – pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohet drejtë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Glauk Konjufca teksa shpjegoi kronologjinë e ngjarjeve që nga nëntori i vitit të kaluar dhe “nevojës” legalo-kushtetuese të veprimit të qeverisë kosovare.

Por ama, tha Konjufca, “nëse ShBA nuk e kupton kështu...ne duhet të ulemi seriozisht me ShBA’në se pse nuk e kuptojnë kështu....për m’u mirëkuptu duhet takime më intenzive, takime më të thella...sepse mua më duket që Qeveria po shkon në atë rrugë sepse ashtu i ka lexuar porositë e ShBA’së”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i mëshonte Departamentit amerikan të Shtetit, për “padrejtësi dhe naivitet” në lidhje me dënimin deklarativ të Kosovës për “masat e dhunshme....që duhet të ndalen menjëherë” ndërsa për ndëshkimet (kushtimisht: sanksionet) ndaj Kosovës (përjashtimi nga Defender 2023 dhe çzotimi nga mbështetja e Kosovës për anëtarësimet në organizata ndërkombëtare/evropiane dhe angazhimi me shtetet mosnjohëse) Kurti ishte shprehur që ShBA’të duhet të mendojnë “më gjerë dhe më thellë”.

Konjufca qysh në kohën e taksës në vitin 2019, kishte shpjegimin e tij se pse vjen presioni i madh amerikan mbi Kosovën. Kjo, siç e artikulonte ai, kishte të bënte me atë se kosovarët janë tejet të ndjeshëm dhe të cënueshëm ndaj ShBA-së.

Presioni i tyre i vërtetë vjen, besoj, prej presionit që ata e kanë prej shteteve të ndryshme që faktori i vetëm që mund t’i bindë kosovarët janë ShBA, sepse ne i kemi dobësi. Jemi të ndjeshëm dhe të cënueshëm ndaj ShBA’së, për shka ktë rolit qëndror që kanë pasur në lirinë tonë, edhe ndihmën që është e pazëvendësueshme dhe e pakompenzueshme”, shpjegonte ai në një intervistë me Adriatik Kelmendin.

“(...) Bëhet një trysni, si një domino efekt. Pra, të tjerët bëjnë presion mbi ShBA-në, ta zëmë BE. Mendoj se BE i është ankuar ShBA se Kosova po i paraqet problem në vazhdimin e dialogut (...) dhe e vetmja ShBA mund ta bind Kosovën”, thoshte ai.

Një ekstrakt i shkurtër i këtij shpjegimi të Konjfucës:

Konjufca: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë problem mosdëgjëueshmërinë nga an e Kosovës. Pra, është pak si njëfarë raporti i babait me fëmijën. Ti (Adriatik Kelmendi) besoj e përjetuar vet kur nuk të dëgjon djali. Është njëfarë sikleti i prindit. Ta shkakton njëfarë turbullimi; njëfarë inati

Intervistuesi: “A është Amerika babai i Kosovës?”

Konjufca: “Ashtu konceptohet...”

Intervistuesi: “Për ju?”

Konjufca: “Për mua nuk do të ishte në rregull në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi, por edhe në marrëdhëniet mes popujve që të kishte figura të tilla – paternaliste dhe kujdestare. Sepse unë konsideroj që secili popull e ka dinjitetin e vet dhe e ka hapësirën e vet të lirës, e krijon shtetin e vet. Dhe disa interesa të veta i artikulon mundësisht sa më në përputhje me interesat e miqve”.

Intervistuesi: “Mirëpo në kontekstin e tashëm, a mundet Kosova pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Konjufca: “Jo, unë mendoj që siguria, jo vetën e Kosovës, por edhe e kombit shqiptar në përgjithësi është e pamundshme jashtë kësaj ombrelles transatlantike të sigurisë edhe NATO-s, ku më e rëndësishme është Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është guri themeltar”.

Intervistuesi: “Pra, në njëfarë forme e ka rolin e babait?”

Konjufca: “E ka, në njëfarë forme. Mirëpo, një përgjegjësi e përgjegjshme (Qeveria Haradinaj) nuk vjen në këtë pozitë...”/Nacionale/

Lajme të ngjashme