Sa i kushtuan Shqipërisë dy satelitët që u dërguan në hapësirë
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka treguar se sa kanë kushtuar dy satelitët që u lëshuan të martën në nga Cape Canaveral, Florida të SHBA-ve.
Albania 1 dhe Albania 2 janë satelitët e parë të Shqipërisë të cilët kanë kushtuar 6 milionë dollarë.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se satelitët do të përdoren për një periudhë 3 vjeçare.
“Në bazë të kontratës dy satelitët do të përdoren për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Njoftimi i plotë:
Dy satelitët lëshohen në kuadër të kontratës se shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Satellogic USA Inc., me vlerë 6 milion dollarë.
Në bazë të kontratës dy satelitët do të përdoren për një periudhë 3 vjeçare, për monitorimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike e profesionale të Republikës së Shqipërisë për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj.
Ky shërbim do t’iu mundësojë institucioneve përfituese marrjen e Imazheve satelitore, të cilat sigurojnë një mbulim gjithëpërfshirës dhe periodik të sipërfaqes tokësore, duke mundësuar përdorime të shumta dhe një mori informacionesh dhe gjeoinformacioni për vendimmarrësit dhe planifikuesit si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, për politika dhe vendimmarrje efektive