S`ka Kuvend, por ka fyerje e bullizime: “Pozita” dhe “opozita” degradojnë gjuhën ndaj njëra-tjetrës - NACIONALE

S`ka Kuvend, por ka fyerje e bullizime: “Pozita” dhe “opozita” degradojnë gjuhën ndaj njëra-tjetrës

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Kosovës për 45 herë radhazi sot kanë dështuar në konstituimin e Kuvendit. Derisa punën për të cilën paguhen nuk po e bëjnë, në dy seancat e fundit, ata kanë shtuar fyerjet dhe bullizimet ndaj njeri-tjetrit.

Degradimi i gjuhës ka filluar në seancën e kaluar, kur deputetët e VV-së në korë fyenin deputetin e LDK-së, Paris Guri, i cili doli në foltoren e Kuvendit.

Derisa deputetët e VV-së e bullizonin deputetin e LDK-së për emrin, ky i fundit ua ktheu me të njëjtën monedhë.

“Oj Fitore a i ke kthy 200 mijë euro. Çka keni, i keni do vjet”, ka thënë Guri.

Fyerjet e deputetëve të partisë së Albin Kurtit ndaj deputetit të ri të LDK-së i dëshmoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Pas seancës, Musliu ka përmendur me emra deputetet e VV-së që kanë fyer deputetin Guri.

Deputeti i ri, Parisi, në vend që të inkurajohej dhe të mbështetej në hapat e parë të tij në Kuvend, u përball me një fushatë të organizuar talljeje dhe ofendimi, jo për përmbajtjen e fjalës së tij, por për emrin dhe moshën e tij. Ky është një akt i dënueshëm në vetvete, por bëhet edhe më i shëmtuar nga fakti se në ballë të kësaj fushate bullizuese ishin tri gra: Mimoza Kusari, Donika Gërvalla dhe Fitore Pacolli. Një veprim i tillë jo vetëm që shkel parimet bazë të etikës parlamentare, por dërgon edhe një mesazh të rrezikshëm për rininë e angazhuar në politikë, se në vend të inkurajimit, do të përballen me përbuzje e përqeshje”, shkroi ajo në profilin e saj në “Facebook”.

Sipas Musliut, qasja e VV-së ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme.

Qasja e Vetëvendosjes ndaj një deputeti të ri është e frikshme dhe e papranueshme. Nëse një emër ose një moshë e re është arsye për t’u përbuzur në Kuvend, atëherë çfarë mesazhi u jepet të rinjve që duan të kontribuojnë për vendin?”, ka thënë ajo.

Më pas, Gurit krah i doli edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në profilin e tij në “Facebook”, i pari i LDK-së kishte shkruar se ndihet krenar me deputetin e ri.

Prezenca e një djali të ri në foltore, e para e tij, u bë sot më e fuqishme se britmat e pakontrolluara të një turme. Turma ra. Parisi nisi. Paris Guri, krenar me ty. E ardhmja është e bukur”, ka shkrua Abdixhiku.

Degradimi i gjuhës së deputetëve ka vazhduar edhe sot.

Për ata pak minuta sa zgjati seanca një “replikë” jo e këndshme ndodhi në mes të deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj dhe asaj të VV-së, Saranda Bogujevci.

Pas ndërprerjes së seancës, deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u ankua për fjalët që Kadrijaj ia tha Bogujevcit.

Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se gjuha e deputetëve ka degraduar.

Gjuha brenda seancës nga deputetët me komente po degradon çdo ditë. E kemi parë ditë më parë nga deputeti i LDK-së me formën, mënyrën dhe trajtimin ndaj një deputeteje të VV-së, sot e pamë prapë nga deputetja e AAK-së, zonja Kadrijaj, në mënyrën dhe formën si ju drejtua një deputetes të Grupit Parlamentar të LVV-së”, ka thënë ajo, duke paralajmëruar se kjo gjuhë mund të bëhet normë në Kuvend.

Targetimet, fyerjet dhe ofendimet që i bëhen një deputetes grua në Kuvendin e Kosovës është i papranishëm, i dënueshëm dhe si i tillë nuk bënë të krijohet normë ose të përsëriten”, ka thënë Kusari-Lila.

Lajme të ngjashme