S`e votoi hetimin e zhdukjes së mostrave të Astritit: Pse VV-ja po frikësohet nga komisionet hetimore?
Dikur i kishte në qejf, pro jo më. Prej ardhjes në pushtet Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka shumë dëshirë komisionet hetimore parlamentare.
Pothuajse të gjitha iniciativat e opozitës për çështje të tilla i ka kundërshtuar në këtë legjislaturë.
Njëjtë ka vepruar edhe dje kur nuk ka votuar pro themelimi të dy komisioneve hetimore të kërkuara nga PDK-ja.
Refuzimin i deputetëve të VV-së për të votuar Komisionin Hetimor Parlamentar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në IML ka befasuar të gjithë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar VV-në për këtë veprim.
Pas seancës, ai ka thënë se kjo tregon se VV-ja nuk është e interesuar për të vërteten e mostrave të Astrit Deharit.
“Kush do ta imagjinonte që Lëvizja Vetëvendosje do të refuzonte themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili do të kishte për objekt hetimi zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, fatkeqësinë e të cilit kjo parti e shfrytëzoi për të ardhur në pushtet?! Në seancën e sotme të Kuvendit, përfundimisht u konfirmua se VV-ja nuk e do hetimin dhe të vërtetën për rastin Dehari. Pikërisht kjo na bind se sa i domosdoshëm është ky hetim. Ky hetim patjetër do të ndodhë, por sot e pamë fytyrën e vërtetë dhe hipokrizinë e VV-së”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Faceboo”.
Pavarësisht gatishmërisë se LDK-së dhe AAK-së, VV-ja e ka kushtëzuar themelimin e këtij komisioni.
Në seancën e djeshme, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka kërkuar të zgjerohet veprimtaria e këtij komisioni hetimor.
“Nëse dum hetim të mirëfilltë të ngjarjeve, veprimet e mos veprimeve në IML-së në Kuvend duhet ta zgjerojmë fushë veprimtarinë të këtij komisioni hetimor parlamentar. IML për gjatë viteve është përcjell me skandale e shkelje të shumta të shumta, e shumë prej tyre fatkeqësisht asnjëherë nuk ka pasur as hetim nga prokurori e as trajtim nga drejtësia”, ka thënë Rrustemi, duke treguar se zgjerimi i hetimit do të ndihmonte edhe prokurorinë.
“Pikërisht fakti që për këto shkelje në të kaluarën nuk janë trajtuar nga prokurori është e domosdoshme të këtë hetim parlamentar. Kështu, ne mund t`i shërbejmë edhe sistemit të prokurorisë. Ne si grup parlamentar nuk jemi kundër themelimit të komisioneve parlamentare, por mbështesim idenë për themelim të mirëfilltë të komisioneve parlamentare. Ne propozojmë të zgjerohet fushëveprimtaria edhe me tri çështje tjera”, ka thënë Rrustemi.
Në fund të debatit, ndonëse deputetët e VV-së ishin në sallë ata nuk morën pjesë në votim.
Në këtë mënyrë, formimin i këtij komisioni është shtyre. Njëjtë ka vepruar edhe me propozimin e me formimin e Komisionit Hetimor për MPJD-në.
Kështu kishte vepruar edhe më herët
Kjo sjellje e deputetëve të VV-së nuk është e re. Partia në pushtet edhe më herët kishte tentuar t`i zvarriste procedurat e formimit të komisioneve hetimore parlamentare.
Në nëntor të viti të kaluar, vetëm pas tetë përpjekjeve kishte mundësuar konstituimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Ndonëse formimi i komisioni ishte votuar në Kuvend, deputetët e VV-së nuk merrnin pjesë në mbledhjen konstituive.
Një vit më parë, VV-ja gjithashtu kishte tentuar të pamundësonte themelimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike, ku dyshohej për përfshirje ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Në atë kohë, paralelisht me propozimin e opozitës, VV-ja kishte propozuar themelimin e një komisioni tjetër hetimor, përmes të cilit synonte të hetonte të gjitha keqpërdorimet në fushën e energjisë.