“Rusofili në aksion”: Presidenca i nxjerr ‘dhëmbët’ Pacollit pasi fajësoi stafin “arrogant” të Osmanit për incidentin në Shkup - NACIONALE

“Rusofili në aksion”: Presidenca i nxjerr ‘dhëmbët’ Pacollit pasi fajësoi stafin “arrogant” të Osmanit për incidentin në Shkup

2 vjet më parë

nga NACIONALE

U përfshi fillimisht me tonet më të buta në debatin rreth incidentit të paparë ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte subjekt i një kontrolli të rreptë në Aeroport të Shkupit, me ç’del, me urdhër të vetë Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Biznesmeni dhe ish-Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, provoi të sqarojë se Vjosa Osmani “nuk është aspak fajtore” për incidentin në aeroport, dhe se asaj si e tillë “i është imponuar gjithçka që ka ndodhur”.

Por, Pacolli pandehi se e di kush është fajtori: stafi i saj.

Faji kryesor i takon stafit të presidencës, që shpesh është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe jo profesional dhe gjithmonë arrogant. Ky staf ka dështuar sërish në facilitetin e kalimit të presidentes në mënyrë dinjitoze në këtë pikë kufitare aeroportuale”, ka shkruar ai.

Por, një shpjegim të tij një ditë më pas, kur u zbardhën detaje të mëtejme rreth incidentin – madje edhe në nivel mësymje fizike për t’ia marrë telefonin Vjosa Osmanit nga personeli sigurimor i aeroportit – Pacolli, doli edhe me një shpjegim tjetër.

Njoftoi për ca informata të marra nga kryesuesi i departamentit të sigurisë së pasagjerëve të Asociacionit IATA në Toronto.

Ai më konfirmoi (atë që edhe unë e dija) se nuk ekziston asnjë lloj imuniteti që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit të çdo udhëtari që fluturon me një aeroplan, veçanërisht me aeroplan publik ku është në pyetje siguria e pasagjerëve të tjerë dhe qe nuk jane kryer procedurat paraprake te sigurisë”, shkroi ai.

Këtu, Pacolli e lëshoi si në formë tallëse një tezë të lëshuar aty-këtu se gjoja telefoni mund të provohej të riprodukohej në aeroport.

Sa i përket klonimit të telefonit, është naive të thuash se telefoni mund të klonohet ndërsa kalon në makinerinë X-ray”, ka shkruar ai.

Prej Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut e deri te pjesëtarë të ekipit të Presidentes së Kosovës, u lëshuan në baltosje të madhe ndaj Pacollit duke e quajtur edhe njeri të ambienteve “rusofile”.

Rusofili në aksion”, ka shkruar Prindon Sadriu ndaj Pacollit. Këtë reagim Sadriu e ka shlyer nga Facebooku pas disa minutash.

Ja kush ka qenë Ministër i Jashtëm, zv. Kryeministër dhe President (për fat të mirë vetëm për 30 ditë) i Kosovës. Ky njeri jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, por edhe arsyeton sulmin brutal ndaj vendit tonë”, ka shkruar Rinor Nuhiu, këshilltar i Osmanit.

Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”.

Pacolli ka reaguar ndaj këtij shkrimi të Nuhiut, duke e konsideruar veten “shënjestër të ofendimeve” nga stafi i Presidentes, të cilët, vazhdoi t’i mbajë fajtorë për incidentin në aeroport.

Unë besoj dhe kam thënë se skandalet e fundit të Presidentes janë rezultat i mungesës së njohurive dhe arrogancës së stafit të saj”, tha Pacolli.

Presidenca e Kosovës e ka fajësuar shtetin maqedonas, për më tepër e ka marrë si të konfirmuar se urdhri është dhënë nga Ministria e Brendshme atje, që ta vendos Osmanin në një predikament të tillë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dërguar notë proteste në Maqedoni të Veriut që të qartësohet menjëherë situata dhe të merrenb masa ndaj shkelësve.

Lajme të ngjashme