Rusia kërkon sërish mbledhje të Këshillit të Sigurimit për bombardimet e NATO-s - NACIONALE

Rusia kërkon sërish mbledhje të Këshillit të Sigurimit për bombardimet e NATO-s

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia ka kërkuar sërish thirrjen e një sesioni të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rastin e 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj RF të Jugosllavisë.

Kështu njoftoi sot në mbrëmje Zëvendës Përfaqësuesi i Parë i Përhershëm i Federatës Ruse në OKB Dmitry Polyansky, raporton N1.

Megjithatë, mbledhja nuk u mbajt pasi nuk u sigurua përkrahje e nevojshme.

Pas dështimit, ministrja Donika Gërvalla deklaroi se Rusia ka mbetur e vetme.

Postimi:

Në Këshillin e Sigurimit në OKB

Bashkë me aktivisten e shquar dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila sot është e dërguara e posaçme e Presidentes Osmani për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, ishim në selinë e Kombëve të Bashkuara, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Rusia në një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.

Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën.

Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi.

Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt.

Por po aq mbetet fakt që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran i qytetarëve të saj. Në 25 vitet e pasluftës, Kosova ka avancuar në zhvillim të demokracisë, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut, zhvillim ekonomik dhe integrim në mekanizmat ndërkombëtar, ndërkohe që Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit.

Lajme të ngjashme