Pas vdekjes së Albright-it, Rusia i sulmon rëndë atë dhe Hashim Thaçin
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se ish-sekretarja e Shtetit e ShBA-së, tashmë e ndjerë, Madeleine Albright, ishte ideologe e bombardimit të Beogradit.
Zyrtarja ruse përmendi edhe një pjesë të një interviste që Albright kishte dhënë për një televizion amerikan në vitin 1996, kur gazetarja i thotë që është dëgjuar se mbi gjysmë milioni fëmijë kanë vdekur nga sanksionet kundër Irakut dhe e pyet Albright-in nëse një gjë e tillë është e justifikueshme, ndërsa ish-sekretarja thotë: “Mendoj se kjo është zgjedhje shumë e vështirë, por besoj se është e justifikuar”. Vërehet se videoja është prerë dhe nuk dëgjohen fjalët tjera të përgjigjes së Albright-it.
“Nën cilat sanksione ka qenë Albright-i? Në asnjë rrethanë. Vetëm një monument i saj u ngrit në Kosovë për vrasjen e serbëve”, shkroi zëdhënësja ruse në llogarinë e saj në Facebook.
Ajo e përmendi edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e akuzoi për trafikim organesh.
“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i pranishëm në ceremoninë hapëse. I njëjti, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tregtoi organe të njerëzve të serbëve që u vranë nga amerikanët", shkroi Zakharova.