Rugova: Sistemi shëndetësor para një kolapsi të mundshëm
Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka komentuar dorëheqjet e fundit në sistemin shëndetësor.
Rugova thotë se sistemi shëndetësor i Kosovës po vazhdon një trend rënie të frikshme në të gjitha nivelet.
“Niveli terciar është para një kolapsi të mundshëm! Dorëheqja e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë dhe sot dorëheqja e U.D së drejtoreshës ekzekutive të SHSKUK- së tregon për krizën e thellë që ka kapluar institucionin më të rëndësishëm shëndetësor në vend. Ministria pa koncept dhe plan veprimi si të veproj tutje - thjesht nuk munden dhe nuk dijnë!”, shkruan ai.
Anëtari i LDK-së thotë se bordi i SHSKUK-së ka “njerëz anemik, të papërvojë, pa asnjë menaxher shëndetësor të dëshmuar dhe 70% servil të politikës.”
“Emërojnë njerëz pa përvojë, pa peshë profesionale dhe pa sens menaxherial. Vetëm rreth 15% të drejtorëve të klinikave mund të thuhet se janë kompetent të menaxhojnë me këto institucione tejet të rëndësishme për qytetarët e vendit. Mbi 80% të menaxherëve janë anonimus, servil partiak dhe që nuk kanë ide se çka është menaxhmenti shëndetësor!,”- thotë ai.
Rugova ka edhe një apel për qeveritarërt.
“Këndelluni, ndërrone qasjen që nga koka, këshillohuni me njerëz që dijnë e kanë përvojë, kërkoni këshilla edhe nga partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, shpallni konkurse me kritere të duhura e jo për përzgjedhje të servilëve dhe anonimusëve, gjeni menaxherë shëndetësor dhe njerëz që e kuptojnë sistemin dhe menaxhimin në shëndetësi....në të kundërtën edhe për një perudhë 2-3 vjeçare SHSKUK do mbetet vetëm me specializantë! Do të mbeten vetëm objektet e asaj që quhet SHSKUK! MË KEQ NUK KA QENË KURRË!”