Rubin e thotë qartë: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë nënkupton njohje
James Rubin, i dërguar i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global në Departamentin e Shtetit, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Zërin e Amerikës”. Në këtë intervistë, Rubin, ish-këshilltar i Madeleine Albright, ka përmendur edhe çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Çka tha Rubin?
Sipas Rubinit, çështja e njohjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është qëllim afatgjatë i ShBA-së në procesin e normalizimit, që lehtësohet nga BE-ja. Tutje, Rubin ka vlerësuar se është vështirë e imagjinueshme një normalizim mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje reciproke.
“Nuk do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por mund të them se qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje dhe fakti që disa shtete të tjera që janë pjesë e BE-së, nuk e njohin Kosovën, nuk ka lidhje me qëndrimin amerikan. Kosova dhe Serbia kanë probleme. Probleme duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Ky është kuptimi i standardeve të BE-së. Si amerikanë ne nuk i themi Bashkimit Evropian se çfarë duhet të bëjë. Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë për atë mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme. Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të dy vendeve” – ka thënë Rubin.
Rubin ka folur edhe për marrëdhëniet në mes ShBA-së dhe Kosovës. Sipas tij, ka shqetësime për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka vepruar në aspektin diplomatik.
“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje... populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit” – tha ai tutje.
“I bëj thirrje popullit të Kosovës ta kuptojë sa shumë ka përparuar në këto 25 vite nga një periudhë kur jeta e njerëzve ishte në rrezik tek një periudhë e lirive bazike, me demokraci që funksionon, ekonomi që po shënon përmirësim dhe mundësinë reale për t’u bashkuar me BE-në që varet nga ata vetë, nga qeveria e tyre, që tani mund ta zgjedhin vetë fatin e tyre. Si zyrtar amerikan, ne do të sigurohemi që ata të jenë në gjendje të vendosin për veten e tyre. Por ata duhet ta bëjnë zgjedhjen dhe ne shpresojmë se do ta bëjnë” – ka shtuar tutje Rubin.