RTK ngel, e jep lajmin për arrestimin drejtorit të KEK-ut pak para motit
Radio Televizioni i Kosovës ka një kohë që po udhëhiqet nga Bordi i zgjedhur nga VV-ja. Por aty është edhe drejtori i televizionit, Rilind Gërvalla, aktivist e përkrahës i VV-së, zgjedhja e të cilit u kritikua shumë. Megjithatë, duket se tashmë “rehatimi" i njerëzve të pushtetit në RTK po kryen punë.
RTK-ja, ndonëse është televizion publik, ka bërë një rënditje të çuditshme në lajmet qendrore të saj, që fillojnë nga ora 19:30. Ndonëse ishte lajmi kryesor i ditës, pra arrestimi i drejtorit menaxhues të KEK-ut, Nagip Krasniqi, RTK-ja nuk e ka dhënë që në hyrje të edicionit lajmin për arrestimin e Krasniqit.
Madje, edhe në intro (pra në parahyrjen e edicionit të lajmeve), storia për arrestimin e Krasniqit u paralajmërua e treta, pas paralajmërimit për liberalizimin e vizave dhe një deklarate të Escobarit për zgjedhjet në veri.
Ndërsa storia për arrestimin e Krasniqit, u dha në orën 19:47, pra 17 minuta pasi filloi edicioni i lajmeve.
