"Rritje ekonomike"; "ulje e papunësisë", ekonomistët ekspozojnë “tendencën e pushtetit për manipulim me qytetarët”
“Ndikim mininal në rritjen e standardit të jetës” dhe “tendencë për manipulim me qytetarët” po i quajnë njohësit e ekonomisë mburrjet e pushtetit me shifra minimale të rritjes ekonomike, që në kontekst të zhvillimit real ekonomik përkthehet në një kurrgjë hiç.
Për qeverinë aktuale, në shumicën e treguesve ekonomikë, përpjekjet e dëshpëruara për të nxjerrë diçka pozitive nga raportet kanë qenë si një përpjekje për të shtrydhur ujin nga një gur në vazhdën e një rënieje drastike ekonomike në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021 dhe presioneve të mëdha inflacioniste që Kosova - në mungesë të politikave parandaluese – i priti me krahë hapur.
Krejt kjo, në një përpjekje të dëshpëruar për të ndryshuar perceptimin e opinionit publik për sfidat që vendi përjetoi, çoi në një diskurs të paprecedentë të interpretimeve më absurde të treguesve ekonomikë. Në shumicën e rasteve, interpretimet groteske të pushtetarëve u demantuan ashpër nga ekspertët e ekonomisë.
Së fundi, Lëvizja Vetëvendosje e dha si arritje një projeksion minimal rritje ekonomike. Për deputetin e LDK-së Avdullah Hoti, ky projeksion i Bankës Botërore, përveç s’e nuk ndikon thuajse asgjë në rritjen e standardit të jetës, është vetëm 0.1 për qind më i lartë sesa Serbia.
“Norma e rritjes ekonomike në Kosovë për 2025 pritet të jetë 3.9%, që është me ndikim mininal në rritjen e standardit të jetës, por zyrtarë të partisë në pushtet krekosen se është më e larta në rajon kur vendi fqinj në veri e ka 3.8%, pra Kosova e ka vetëm 0.1% më të lartë”, shkroi Hoti në Facebook.
Hoti ia ka kujtuar edhe zv.kryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimin, zvogëlimin e popullsisë për 200 mijë banorë kur ky i fundit në sagën propagandistike të numrave tha se “shkalla e papunësisë është ulur në 10.7% në tremujorin e katërt të vitit 2023”, pa sqaruar se cili ka qenë indikatori kyç në uljen e punësimit.
“Zv.kryeministri Bislimi deklaron se është ulu papunësia kur 200 mijë qytetarë, kryesisht të moshës së punës, janë larguar nga vendi”, tha deputeti Hoti.
Ndërsa sipas ekspertit të ekonomisë Shenoll Muharremi, një ekonomi e vogël si Kosova, edhe sikur të kishte rritje ekonomike 1000 për qind, kjo do të përkthehej në vetëm 0.1 për qind rritje ekonomike në rastin e shtetit të Japonisë.
Në këtë kontekst, Muharremit sugjeroi se performanca e një ekonomie të vogël si Kosova, “duhet të vlerësohet me strukturën e saj dhe faktorët dhe indikatorët kyç ekonomik”.
“Ekonomitë e vogla dhe modeste, edhe nëse rriten 1000% e kanë efektin sa me i rritë 0.1% ekonomia e Japonisë. Performanca ekonomike e Kosovës duhet të vlerësohet me strukturën e saj dhe faktorët dhe indikatorët kyq ekonomik. E në këtë rast, dominon tregtira dhe kemi një deficit kronik të mallrave që arrinë -5miliardë në vit (100% rritjet vitet e fundit nga 2.5miliardë)”, tha Muharremi mes tjerash.