“Rritja e pagave”, Kurti: Koeficienti njëjtë, por rritet njësia – nga janari plus 55 euro, në korrik bëhen 110 euro
Koeficienti për paga në sektorin publik qëndron i njëjtë, por rritet njësia e koeficientit për "1", përkatësisht me nga 0.5 në janar të vitit të ardhshëm, dhe 0.5 në korrik – ka njoftuar në konferencë për shtyp Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Për punonjës si mësuesit, ushtarët, zjarrëfikësit, policët (etj.) kjo do të jetë “18-20%” rritje e pagës tha Kurti, ndërsa për ato pozitat më ët larta “6-7%”.
“Shprehur në vlerë monetare, të gjithëve të punësuarve në sektorin publik pagat rriten nga 55 euro në janar, dhe 110 në korrik”, tha Kurti.
Ndërkohë, gjatë konferencës u prezantua një tabelë, përmes së cilës tregohet se sa rriten pagat për mësuesit, policët, infermierët, zjarrfikësit dhe ushtarët.

Kurti tha se ata që kanë vlerën e koeficientit të pagave – ta zëmë – 5.6 në janar u bëhet 6.1 ndërsa në korrik 6.6.
“Kostoja e plotë e buxhetore vjetore e kësaj rritje 120 milionë euro”, ka thënë ai.
Më pas, Kurti pretendoi se qeverisja e tij sektorin privat “e ka përkrahur edhe më shumë”.
Mes tjerash, ai u shpreh se paga mesatare në sektorin privat është rritur rreth 34 për qind në krahasim me para katër viteve.
“Më lejoni t’ju njoftoj atë që besoj se shumica e dinë, që ne kemi mbështetur sektorin privat në ekonomi edhe më shumë se atë public në këto mbi tri vite e gjysmë të qeverisjes, paga mesatare në sektorin privat krahasuar me para katër viteve, është rritur për 34 për qind, dhe me këto mbi 75mijë vende të reja të punës nga pranvera e vitit 2021, sot në Kosovë mund të themi që shkalla e punësimit e ka ndjekë rritjen ekonomike", u shpeh ai.
Nesër mund të miratohet Projektligji për Buxhetin në Qeveri
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se Projektligji për Buxhetin për vitin 2025 është gati.
Ai ka treguar se ky projektligj nesër mund të miratohet në Qeverinë e Kosovës dhe më pas të dërgohet në Kuvend.
“Ekipet janë duke e finalizuar ligjin e buxhetit dhe besoj sapo ta kemi gati, ditën e nesërm mund të thirret mbledhja për ta proceduar në Kuvend, e pastaj janë procedurat që parasheh Kuvendi”, ka thënë Murati në konferencën për media, ku është bërë e ditur rritja e pagave për zyrtarët publikë.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti e ka ende shumicën në Kuvendin e Kosovës për të miratuar projektligjin në fjalë.
“Sa i përket numrave, ne i kemi numrat, pra e kemi ende shumicën në Kuvend, megjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur. Por, ligji i buxhetit duke qenë një ligj tepër i rëndësishme dhe jetik për qytetarët e vendit, për shërbyesit publikë, për pensionistet, pra nuk do të bëhet pjesë e beteje politike apo ndonjë fushate zgjedhore, sepse është ligj që duhet kalohet me patjetër në mënyrë që të ketë vazhdimësi në funksionimin e shtetit”, ka thënë Murati.