Rritet pakënaqësia në LDK ndaj Abdixhikut, degët kërkojnë dorëheqjen e tij
Thirrjet për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku po marrin formë të organizuar brenda strukturave të partisë.
Fillimisht ishte Dega e LDK-së në Pejë që kërkoi reflektim politik dhe përgjegjësi nga lidershipi. Pas analizës së rezultatit zgjedhor, Kryesia e kësaj dege deklaroi se “me shumicë votash” ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes.
“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhej në reagimin e degës së Pejës.
Më pas, me një deklaratë të gjatë dhe të argumentuar politikisht, Dega e LDK-së në Lipjan kërkoi drejtpërdrejt dorëheqjen e Abdixhikut. Kryesia e kësaj dege vlerësoi se rezultati zgjedhor në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale.
“Kryesia e Degës vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale. Ai paraqet edhe një reflektim të gjendjes, organizimit, funksionimit dhe kapacitetit politik të partisë në nivel qendror”, thuhej në deklaratë.
Dega kërkoi zyrtarisht largimin e kryetarit.
“Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre.”
Më pas, thirrjeve iu bashkua edhe Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë, e drejtuar nga Florian Dushi. Në deklaratën, kjo degë foli për rrezikun e margjinalizimit politik të partisë dhe për nevojën e ndryshimit të lidershipit.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK.”
Por ndërsa kërkesat po shtoheshin, Abdixhiku zgjodhi të lëshohet akuza të rënda.
Në një reagim, ai i cilësoi kërkesat e degëve të Pejës dhe Lipjanit si të koordinuara dhe tha se ato do të duhej të ishin adresuar drejtpërdrejt brenda partisë.
“I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë.”
Kreu i LDK-së pranoi se rezultati në këto dy komuna nuk ishte i kënaqshëm, por shkoi më tej duke përmendur ekzistencën e një “sabotimi të thellë” dhe të një “projekti që nuk është i LDK-së”. Abdixhiku nuk paraqiti prova për këto pretendime.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, shkroi ai.
Madje, Abdixhiku kërkoi largimin e kryetarëve të degëve që po e sfidojnë.
“Për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë.”