Rriten 'apetitet' në Ferizaj: Agim Aliu propozon formimin e tri drejtorive të reja komunale - NACIONALE

Rriten 'apetitet' në Ferizaj: Agim Aliu propozon formimin e tri drejtorive të reja komunale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka propozuar formimin e tri drejtorive të reja. Grupi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike e Kosovës [LDK] e përkrah propozimin, derisa nga Lëvizja Vetëvendosje [LVV] e kanë kundërshtuar.

Agim Aliu tash së fundi ka propozuar që në qeverisjen e tij lokale të jenë edhe tri drejtori të reja. Çështja veçse ka kaluar në diskutim publik.

Drejtoria e Inspektoratit, Drejtoria e Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, janë drejtoritë që do t’i shtohen komunës së Ferizajt.

Nacionale ka pyetur zëdhënësin e Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, për të kuptuar pse po formohen këto drejtori dhe çka synohet me to.

Marevci ka arsyetuar formimin e drejtorive të reja duke thënë ishte kërkesë edhe e kryetarëve të kaluar dhe se këto drejtori do të rrisin efikasitetin e administratës dhe drejtorive të komunës.

“Duke marrë për bazë funksionimin sa më efikas të administratës komunale, respektivisht të drejtorive dhe me iniciativën e kahmotshme edhe të legjislaturave të mëhershmë dhe të tashmë të Kuvendit Komunal, kryetari i Ferizajt ka vendosur të vë në diskutim publik ndryshimin e Statutit të Komunës”, ka thënë ai për Nacionalen.

“Në këtë ndryshim, ajo çka është më kryesore është formimi i tri drejtorive, siç janë: Drejtoria e Inspektoratit, Drejtoria e Rinisë dhe Sportit si dhe Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit”, shtoi ai.

Selimi ka bërë të ditur se megjithëse do të formohen këto tri drejtori, në to nuk do të ketë staf shtesë.

Në anën tjetër, formimi i tyre është kundërshtuar nga asamblistët e VV-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Brahim Osmani, ka thënë se nuk e kanë përkrahur formimin e drejtorive pasi që kryetari Aliu vetë e kishte mbyllur drejtorinë e Inspektoriatit në të kaluarën dhe tani.

“E vërteta është se nuk po i rrisni drejtoritë për ta rritur funksionimin, por po e bën këtë sepse u janë rritur apetitet. Tani që u janë rritur apetitet, po dëshirojnë apetitet e tyre ta paguaj qytetari. Ne si LVV do ta kishim përkrahur themelimin e drejtorisë së Inspektoriatit që dikur ka ekzistuar e që kryetari Aliu e ka shfuqizuar dhe nëse një kërkesë e tillë vjen vetëm për këtë drejtori, ne kemi për ta përkrahur por assesi nuk mund të përkrahim shumëfishim të tillë të drejtorive vetëm sepse z. Aliu partitë e tij partnere të koalicionit nuk po mund të mirren vesh për postet e tyre politike”, ka thënë ai.

Osmani thotë se formimi i drejtorive krijon edhe shpenzime më shumë, siç thotë ai “T’i paguaj më shumë rroga për drejtor, më shumë shpenzime të naftës, më shumë dreka e më shumë edhe darka”.

Më tej, asamblisti i VV-së, ka thënë se qytetarët nuk janë njoftuar se Ferizajt do t’i shtohen edhe tri drejtori dhe se për VV-në formimi i tyre, është pazar politik i kryetarit Aliu.

Meqënëse LDK e përkrahu vendimin për forminin e drejtorive të reja, ne pyetëm asamblistin e kësaj partie, Flamur Istrefi, për të kuptuar nëse ka një përafrim të qëndrimeve me pushtetin komunal.

Istrefi ka thënë për Nacionalen se e kanë përkrahur pasi që vetë në të kaluarën kanë kërkuar që të formohet Drejtoria e Inspektoriatit, por që assesi nuk po flirtojnë me kryetarin Aliu.

“Në program tonin ka qenë i parparë formimi i drejtorisë së Inspektoriatit dhe ne kemi thanë që nuk kemi dashtë që kësaj radhe të kemi as inate as hakmarrje politike personale dhe kemi përkrahur duke menduar që është në funksion të qytetarëve ndërsa sa i përket dy drejtorive të tjera ato janë për pazare politike, për të rahatuar persona e tyre dhe ne, hatri i drejtorisë së Inspektoriatit, i kemi votuar edhe ato”, ka thënë ai.

“Jo jo, në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë”, ka thënë Istrefi për Nacionalen kur u pyet nëse ka përafërim të qëndrimeve me kryetarin Agim Aliu.

Komuna e Ferizajt udhëhiqet nga kryetari Agim Aliu i PDK-së që është në koalicion qeverisës me AAK-në Iniciativën, Ne Mundemi dhe me komunitetet.

Aktualisht Komuna e Ferizajt ka 11 drejtori dhe me formimin e të rejave do t’i bëhen 14.

Lajme të ngjashme