Rozeta Hajdari flet për pezullimin e certifikatës të Klan Kosova: Ne s’mbyllim media
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar në lidhje me vendimin që po kritikohet shumë ndaj mediumit Klan Kosova.
Ky medium raporton se ministrja Hajdari ka thënë që arsyeja pse është pezulluar certifikata e biznesit, ka të bëjë me adresën “Gjakovë, Serbi” dhe “Pejë, Serbi”.
“Arsyeja se pse është pezulluar çertifikata e biznesit, vendimi që është marrë dje. Që të jemi të qartë edhe njëherë se dokumentacioni me adresë Gjakovë/Serbi dhe aq më tepër Pejë/Serbi është veprim shumë i rëndë para ligjit, para Kushtetutës dhe është e papërgjegjshme kjo situatë. Dhe për këtë arsye ne e kemi proceduar për hetime.” – u shpreh ajo.
Tutje, Hajdari ka thënë se ARBK-ja e trajton rastin e kompanisë si biznes, ndërsa Komisioni i Pavarur i Mediave do të merret më shumë me rastin.
“Por, siç e dini ARBK e trajton rastin e kompamisë vetëm si biznes, çështjet e mediave si të tillë trajtohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe as ne e as qeveria as nuk hap e as nuk mbyll media.” – ka deklaruar tutje.
Në fund, Hajdari duket se ka shprehur edhe keqardhjen për një gjë të tillë, duke thënë se “i vjen keq që kjo ka ndodhur me një biznes që ushtron veprimtari të informimit publik”.
“Detyrë e çdo zyrtari publik është që ta mbrojë Republikën e Kosovës duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk kam kompromis. Më vjen keq që kjo ka ndodhur me një biznes që ushtron veprimtari të informimit publik dhe e bën edhe më të rëndë." - tha ministrja.