Rohde kërkon nga qeveria “të bëjë pjesën e vet” për nisjen e Asociacionit
Kosova duhet të bëjë “punën e saj” për nisjen e procedurave për Asociacionin, përkatësisht miratimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ka thënë ambasadori gjerman në vend, Jorn Rohde.
Paralel me këtë, ka vijuar ai, Serbia ka “pjesën e saj” – Nenin 4 – që të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Dialogu është kur flasim me njëri-tjetrin. Ne kemi një bazë, kemi marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit, të dyja palët duhet të negociojnë dhe të bisedojnë në mirëbesim reciprok, dhe jo vetëm t’i bëjnë gjërat në momentin e fundit”.
”Ne kemi një rrugë të qartë për normalizimin, nuk do të doja ta përsërisja këtë. Kosova duhet të bëjë punën e saj për të filluar formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe Serbia të bëjë pjesën e saj, e jo të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare”, ka thënë Rohde, siç e citoi ”gazeta 10”.
“Dua ta nënvizoj këtë, ju e dini që ndonjëherë duhet të bëni disa hapa me palën tjetër. Kosova, për shembull, dy javë më parë thanë se serbët e Kosovës mund të regjistrohen, të regjistrojnë dokumentet e tyre që janë lëshuar nga institucionet paralele”.
”Për të bërë një hap shtesë, një kilometër shtesë për të krijuar besim. E dini, çfarë ndodhi midis Gjermanisë dhe Francës pas luftës, dhe kjo është rruga përpara dhe jo vetëm të qëndroni në llogoret tuaja, si të thuash” deklaroi Rohde.