Rilind Gërvalla në 24 orët e fundit: Akuza për shpifje, agjendë, stopim të reformave, bllokim të programit - NACIONALE

Rilind Gërvalla në 24 orët e fundit: Akuza për shpifje, agjendë, stopim të reformave, bllokim të programit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një reagim të gjatë të publikuar mbrëmjen e së enjtes, redaktori i lajmeve qendrore në Radiotelevizionin e Kosovës, Jeton Musliu, do të dilte me një letër të gjatë ku do të zbulonte shumë rreth presioneve nga Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, njëherit ish-anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Më poshtë, lexoni se çka ka thënë ky i fundit, prej publikimit të këtyre detajeve…

Së pari, në shpjegimin e tij, Musliu do të linte të kuptohej se Gërvalla e kishte shitur “fake-newsin” e “Slobodna Bosnës” për Nacionalen e Periskopit, si të “Radio Slobodna Evropa” (Radio Evropa e Lirë).

Ai mes tjerash ka folur edhe për presion, “jo vetëm me bërtima” nga Rilind Gërvalla edhe për disa raportime të tjera, duke përfshirë këtu atë për “tentim-atentatin ndaj kryeministrit Kurti”.

Të gjitha detajet në lidhje me këtë, i gjeni në artikullin: “Shkova në zyre, i thashë kjo është absurde”: Prapaskenat më tronditëse për presionet nga Rilind Gërvalla brenda RTK-së”

Çka tha Gërvalla pas kësaj?

Në këto 24 orë, në dy deklarata të shkurta nga Rilind Gërvalla janë parë shumë akuza. Fillimisht, të enjten mbrëma ai do të akuzonte redaktorin e RTK-së për shpifje dhe gënjeshetër.

Madje, ai ka akuzuar mes tjerash gazetarin Musliu se është i dënuar për shpifje.

“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla për Kallxo.com.

Ndërkohë, Gërvalla e lavdëroiSlobodna Bosnën” që publikoi lajmin e rremë me akuza të rënda për Nacionalen e Periskopin, e i cili në fakt ka dhjetra dënime për shpifje.

“‘Bosna e Lirë’ është medium serioz. Ajo është është publikuar e shtypur si gazetë e përditshme që nga vitet e 90-ta. Më 2015 ka kaluar tërësisht në edicionin digjital, si shumica e mediave në regjion dhe më gjerë. ‘Bosna e Lirë’ ka redaksi profesionale, me gazetaren e njohur boshnjake Mirha Dediç si kryeredaktore…”.

Ndërkohë, në akuza Gërvalla u lëshua edhe të premten. Këtë herë në një masë më të gjerë.

Ai po pretendon se ka një “agjendë të mirëmenduar nga jashtë e brenda RTK-së”, kjo për “ta stopuar reformën e brendshme”.

Jo vetëm kaq, sipas tij, po tentohet të bllokohet edhe skema programore.

“Mendoj që e gjithë kjo është një agjendë e mirëmenduar nga jashtë dhe brenda RTK-së, që të stopohet reforma e brendshme, ku njerëz që rrinë e kanë kontrata e përgjegjësi të larta të mos lëvizin, të bllokohet skema programore dhe ndryshimi konceptual programor. Dikush do që RTK të jetë e vjetra, por ka punëtorë në RTK që kanë ide dhe koncepte të qarta se si mediumi publik të jetë lider mediatik në Kosovë!” – ka thënë ai për Kohën.

Lajme të ngjashme