"Parimet" e Rilind Gërvallës: E akuzon redaktorin e RTK-së për shpifje, e mbron fuqishëm portalin boshnjak me dhjetëra dënime për shpifje
Drejtori i televizionit në RTK, aktivisti e anëtari me librezë i partisë në pushtet, Rilind Gërvalla, përveç pozitës, duket se nga VV-ja e ka marrë edhe diskursin akuzues.
Pasi redaktori i lajmeve qendrore në RTK, Jeton Musliu, doli me letër të gjatë ku tregoi presionet brutale në edicionin e lajmeve nga Rilind Gërvalla, ky i fundit u lëshua në akuza.
Gërvalla e akuzoi Jeton Musliun për gënjeshtra e shpifje, pavarësisht se redaktori Musliu ofroi detaje për të gjitha rastet specifikisht ku edhe kishte marrë vërejtje me shkrim.
“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla për Kallxo.com.
Megjithatë, në këtë deklaratë, më shumë se gjithçka, evidentohet hipokrizia e drejtorit të TV-së në RTK. Jeton Musliut ai ia përmendi shpifjen e akuzoi për gënjeshtër, megjithatë portalit boshnjak “Slobodna Bosna” i doli fuqishëm në mbrojtje duke e quajtur medium kredibil. Kjo pavarësisht se Nacionale raportoi për dhjetëra dënime për shpifje që ka kjo gazetë boshnjake.
Pra, Gërvallës i pengon “shpifja” e Jeton Musliut, mirëpo nuk i pengojnë shpifjet e portalit boshnjak të cilin ai me presione të mëdha, vendosi ta transmetojë në edicionin qendror të lajmeve.
Lexoni pak elozhet e Gërvallës për gazetën boshnjake, sikur të ishte ndonjë lexues i rregullt i këtyre mediave, të cilat me statistikë janë me mbi 200 fake news brenda vitit.
“‘Bosna e Lirë’ është medium serioz. Ajo është është publikuar e shtypur si gazetë e përditshme që nga vitet e 90-ta. Më 2015 ka kaluar tërësisht në edicionin digjital, si shumica e mediave në regjion dhe më gjerë. ‘Bosna e Lirë’ ka redaksi profesionale, me gazetaren e njohur boshnjake Mirha Dediç si kryeredaktore. Pos saj, aty punojnë shtatë gazetarë profesionistë dhe më përvojë, nga të tri kombësitë në Bosnje. Ajo ka edhe një fotograf profesionist, e një arkiviste administrative të redaksisë. Redaktor përgjegjës është gazetari i famshëm boshnjak Senad Avdiç”, shkruante Gërvalla.
Mirëpo, Gërvalla nuk i përmendi dhjetëra shpifjet e kësaj gazete, të cilat i kishte zbuluar Nacionale.
Madje, Gërvalla që thirret për patriot nëpër ambientet e RTK-së dhe i akuzon të tjerët për jopatriot, siç bëri të ditur Jeton Musliu, e lavdëroi kryeredaktorin Senad Avdiq. Ky i fundit, në një intervistë për mediat serbe, e kishte pranuar se ka qenë bashkëpunëtor i Agjencisë Sekrete Jugosllave.
“A keni qenë bashkëpunëtor i KOS-it?”, pyetet ai nga N1,
“Oficerët e KOS-it ishin bashkëpunëtorët e mi”, përgjigjet Avdiq.
Në anën tjetër, pas skandaleve të fundit, dje ka dhënë dorëheqje edhe U.D Drejtoresha e RTK-së, Zana Spahiu.
Ai që nuk po lëshon pe, duket të jetë Rilind Gërvalla, bashkë me vartësit e tij të përfshirë në lajmin skandaloz kundër Nacionales: U.D kryeredaktorja Leonora Bërbatovci dhe udhëheqësja e mediave online, Valjeta Kosumi.