'Rikthimi' i Bujar Bukoshit në jetën publike pas shumë vitesh: Çka duhet të dinë gjeneratat e reja për të? - NACIONALE

'Rikthimi' i Bujar Bukoshit në jetën publike pas shumë vitesh: Çka duhet të dinë gjeneratat e reja për të?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bujar Bukoshi nuk është Bajram Kosumi. Nuk është as Avdullah Hoti. Ai ishte një ish kryeministër që s’rridhte nga aksidenti. Por, ai ishte vetë aksidenti. Ku ishte Bujar Bukoshi gjithë këtë kohë, dhe pse intervista e fundit duket e tingëllon aq anakronike?

Bukoshi është tashmë 75 vjeçar dhe ka vuajtur për kohë relativisht të gjatë nga telashe serioze shëndetësore të cilat shpresojmë t’i ketë tejkaluar.

Urologu nga Suhareka e zhvilloi gjatë ditës së djeshme një intervistë me gazetarin Mero Baze. Dhe, kjo intervistë ishte aq e çuditshme sa të jepte përshtypjen se mund të krijonte ashtu vetiu një ‘makinë të kohës’ (ang. time machine).

Bukoshi është i kthyer kokë e këmbë në të kaluarën e tij të pasur, e Baze ishte i kthyer kokë e këmbë në të ardhmen. Vitet ’90 e 2000’ mund të jenë vetëm 30 respektivisht 20 vite larg për botën, por për Kosovën që është zhvilluar në të katër anët duket si të jetë dy shekuj larg.

Por, para se të tematizojmë atë që ka folur me gazetarin nga Shqipëria, të flasim për atë se kush ishte ish kryeministri i Kosovës.

Kryeministër për tetë vjet

Bujar Bukoshi ishte kryeministër prej vitit 1991 e deri në vitin 1999 (2000) në institucionet paralele të Kosovës.

Në Kosovën e pasluftës, asnjë kryeministër nuk ishte në detyrë për një periudhë aq të gjatë kohore. Hashim Thaçi ishte kryeministër prej vitit 2008 e deri në vitin 2014, duke u renditur i dyti. Albin Kurti, për shkak të mbështetjes së madhe që mori, pretendon se mund ta kapërcejë Bukoshin duke fituar mandate tjera si kryeministër.

Suharekasi ishte një prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe nga pozita e kryeministrit besohet se kishte pushtet më të madh real se sa ish presidenti Ibrahim Rugova. Pra, mund të konsiderohet që ai ishte njeriu më i fortë politikisht në Kosovën e paraluftës.

Raportet e tij me Rugovën besohet se ishin ftohur prej vitit 1993, sipas veprimtarit Hafiz Gagica.

Por, ajo kohë ishte rrënjësisht e ndryshme për vendin tonë në krahasim me të tashmen.

Ja se si e përshkruante Bukoshi përpjekjen për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht në kontrast me kohën e sotme kur kryeministri Kurti “po shqetëson e zhgënjen” ShBA-të.

“Në fund të viteve ’80, Kosova ishte një bezdi për diplomacinë ndërkombëtare. Ajo bile përtonte edhe të na dëgjonte. Në vitet e ’90, kur ne u përpoqëm t’i imponohemi me vetorganizimin tonë politik, kishim përballë një mur indiference që të trishtonte dhe që u thye falë rezistencës tonë...”

Por, tash e gati 10 vjet, ish kryeministri ka vënë “një mur indiference që të trishton” për sferën publike kosovare që duket edhe më pak e pjekur se në kohën kur ai ishte kryeministër. Mirëpo, kjo duket të jetë krejtësisht e kuptueshme marrë parasysh kohën nga e cila vinte ai.

As mik me Thaçin, as mik me Rugovën

Megjithëse nuk ka qenë mik me Rugovën, ai ka bashkëpunuar me të për më shumë se dhjetë vjet. Ndërkohë, me Hashim Thaçin ka bashkëpunuar po ashtu për një periudhë relativisht të gjatë.

Në intervistën e lartpërmendur, Bukoshi u pyet edhe për – sidomos për – Gjykatën Speciale. Por, dukej krejt i papërgatitur për të përmbushur pritjet e gazetarit me përgjigjet e tij.

Ajo që kishte rënë në sy në të kaluarën ishte emërimi i tij si zëvendës-kryeministër në Qeverinë Thaçi mes viteve 2011 dhe 2014. Pra, ai kishte qenë edhe zëvendës i Hashim Thaçit. Por, Bukoshi del se nuk ka pasur asnjëherë miqësi me këtë të fundit.

“Nuk kam kontakte me ta (të paraburgosurit në Hagë). Edhe ashtu nuk është se kam pasë ndonjë miqësi me ta.” – tha ai.

Ndërkohë, edhe angazhimi i fundit publik i z. Bukoshi në vitin 2016 ishte i lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai kishte qenë këshilltar i Enver Hoxhajt, në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në atë kohë, ishte raportuar se ish kryeministri i kishte marrë 90 mijë euro nga shteti për shërim jashtë vendit.

Kjo e bën z. Bukoshi një figurë mjaft komplekse dhe të palexueshme për opinionin publik, të paktën politikisht.

Por, në zigzaget e tij politike në Kosovën e pasluftës ishin përfshirë edhe disa orvatje të dështuara, siç ishte hapja e një partie politike për t’i dalë kundër Ibrahim Rugovës menjëherë pas lufte dhe hapja e një liste me të birin e Rugovës, Ukën, për të kapitalizuar nga emri i Rugovës pas pavarësisë.

Duhet përmendur se z. Bukoshi mbetet i akuzuar për “Fondin 3%”, i cili po vazhdon të gjykohet ende.

Lajme të ngjashme